Berisha: Rama fobi nga vota e emigrantëve

59

May-2-13-55-30IMG_9960Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha diskutoi edhe për mundësinë e emigrantëve për të votuar online.

“Arsyeja e mosvotimit të emigrantëve në vendet ku ata janë, është vetëm fobia e kryetarit të opozitës nga vota e tyre.” iu përgjigj kryeministri Berisha mesazhit të dërguar nga një emigrante shqiptare Suljana Kastrati, në Britaninë e Madhe, e cila ngrinte shqetësimin e pamundësisë për të votuar të gjithë emigrantëve që ndodhen jashtë Shqipërisë.

Kryeministri siguroi se “qeveria ka qenë dhe është aktualisht e gatshme tu krijojë atyre mundësinë e votimit on-line ose në çdo formë tjetër që të pranojë opozita me qëllim që ky detyrim të cilin e përmbushin të gjithë vendet e qytetëruar të Evropës të përmbushte edhe nga Shqipëria. Qeveria është e gatshme të mobilizojë çdo fond, të përshtatë çdo teknologji të sigurisë më të lartë që ekziston, në mënyrë që vota e çdo qytetari të ketë peshën që meriton, por mjerisht kjo nuk pranohet nga opozita

Kryeministri tha se opozita kundërshtoi edhe ndaj kërkesës së qeverisë për tu dhënë personave në moshën 16 vjeçare, të drejtën e votës, të drejtë të cilën e gëzojnë qindra bashkëmoshatarë të tyre në vende të tjera, me moshë mesatare më të lartë se në Shqipëri. “Në qoftë se do të kishte një komb që do ti takonte të hapte dyert e qendrave të votimit për 16 vjeçarët, ky duhet të ishte kombi shqiptar. Por përsëri kjo nuk ndodhi dhe është e dhimbshme se një pasion i tyre për teknologjinë  e lartë, like-t me sa duket janë bërë një lloj gogoli që e tremb opozitën nga vota e 16 vjeçarëve.” u shpreh lidhur me këtë kryeministri, duke e cilësuar këtë qëndrim të opozitës  si një diskriminim total dhe fobi të pajustifikueshme.

Për të gjithë emigrantët shqiptarë kudo që ata ndodhen nëpër botë, kryeministri u shpreh se “Ata të gjithë janë aksionerë të zhvillimit të fuqishëm të këtij vendi. Nuk mund ti privosh ata nga vendimi i madhe që marrin shqiptarët në zgjedhjet e përgjithshme. Megjithatë le të urojmë se në serinë e bllokimeve të panumërta, në zinxhirin e tyre këto të jenë ndër më të fundit. 23 qershori është një moment i veçantë për të hapur dyert, për të shembur muret dhe kjo do të ndodhë.”