Berisha pret Moore: Duhet pranuar rezultati nga të gjitha palët

61

berisha mooreKryeministri Berisha priti Drejtorin e Zyrës për Çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit te Shteteve të Bashkuara, z. Jonathan Moore, i cili shoqërohej nga Ambasadori Aleksandër Arvizu.

Kryeministri i uroi mirëseardhjen z. Moore dhe e falenderoi për ndihmën e jashtëzakonshme që qeveria e Shteteve të Bashkuara i ka dhënë vazhdimisht Shqipërisë. Z. Moore e falenderoi Kryeministrin për pritjen në këtë fazë të rëndësishme të fushatës zgjedhore dhe shprehu interesin e madh me të cilin SHBA ndjekin procesin zgjedhor.

Kryeministri Berisha nënvizoi se fushata zgjedhore ka filluar prej mëse dy muajsh dhe ka qenë një fushatë e civilizuar dhe me ecuri normale. Ai shprehu bindjen se të gjitha partitë kanë interes dhe mbështesin një proces zgjedhor me standardet më të larta dhe e garantoi z. Moore se mazhoranca ka bërë dhe do të bëjë gjithçka për të siguruar këto standarde për zgjedhjet e 23 qershorit.

Kryeministri e njohu shkurtimisht z. Moore me përgatitjet zgjedhore, ku vuri theksin në përmirësimin e madh të kornizës ligjore, infrastrukturës së votimit dhe asaj të numërimit.

Kryeministri theksoi se një mision i fortë vëzhgimi i përbërë OSBE/ODIHR, shtetet antare të OSBE, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, etj, është një garanci e madhe për transparencën e procesit dhe besueshmërinë e rezultatit zgjedhor. Në këtë kuadër, Kryeministri nënvizoi rëndësinë e pranimit të rezultatit nga të gjitha palët.

Në takim u diskutua edhe në lidhje me KQZ-në dhe nevojën për plotësimin e vendeve në të. Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë që kjo çështje të zgjidhet sa me shpejt në zbatim të Kodit Zgjedhor. Në këtë kuadër, Kryeministri u shpreh se, në kushtet kur

Kuvendi nuk ka marrë ende vendim për të pranuar dorëheqjet dhe shpallur vakancat e tri vendeve të opozitës në KQZ, anëtarët e dorëhequr mund të rikthehen në detyrë menjëherë. Si alternativë, Kryeministri theksoi se mazhoranca është e gatshme që, nëse opozita dërgon kandidatura të reja në Kuvend, t’i votojë ato në seancën e jashtëzakonshme të datës 30 maj.

Në takim u bisedua edhe për çështje të rajonit ku theksi u vu tek marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimit të saj.