“Sapo dëgjuat një mashtrim disa herë më të madh sesa zëdhënësi dhe kryekreu marrë së bashku. I bëri peshqesh shqiptarëve gjobën politike, aforfenë. Ky njeri del këtu dhe me dëshmitarë të rremë kërkojnë t`u mashtrojnë dhe ju, por dëshmitarët e rremë i kanë këmbët e shkurtra sa vetë rrena”, tha Berisha, duke iu drejtuar ministrit Arben Ahmetaj.
Ndërkohë ish- kryeministri Berisha replikoi edhe me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, i cili i ndërpreu fjalën pasi kaluan dy minutat. “Bëtë një akt të shëmtuar, duke më ndërprerë fjalën”, tha Berisha.
Ndërkohë, Kuvendi pritet të vendosë sot në seancë plenare për kërkesën e opozitës ”Për ngritjen e komisionit hetimor për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë lëvizjeve në Policinë e Shtetit”.
Kërkesa e diskutuar më parë në Konferencën e Kryetarëve, u refuzua nga maxhoranca, ndërsa opozita pretendon se argumentet e përdorur prej saj janë antiligjorë dhe të pajustifikueshëm. Hetimi parlamentar i kërkuar nga opozita lidhet me situatën e rendit në Shqipëri, ku sidomos në dy muajt e fundit, është konstatuar një rëndim i kriminalitetit.
Opozita pretendon se kjo gjendje është pasojë e largimit nga detyra të specialistëve dhe zëvendësimi i tyre me njerëz të paaftë. Gjithashtu, parlamenti pritet të miratojë sot dhe pr/vendimin “Për shqyrtimin me procedure të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë dhe projektit, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe KFW FRANKFURT AM MAIN, për financimin e projektit Linja e transmetimit 400 KV Shqipëri-Kosovë.