Berisha: Ligji për TVSH-në sipas ekspertizës më të mirë

52

Sali BerishaKryeministri Berisha ka nisur sot mbledhjen e qeverisë me shqyrtimin e projektvendimit për TVSH-në, ligj që kundërshtohet nga të majtët.

Në fjalën e tij, Berisha është shprehur se ligji është përgatitur nga specialistët më të mirë të fushës dhe ka shkallën më të lartë të ekspertizës.

“Një ligj themor është ai i TVSH-së i cili është pregatitur prej kohësh dhe një punë e madhe është bërë nga specialistët tanë të kësaj fushe dhe nga specialistët ndërkombëtar të kontraktuar. Ligji ka shkallën më të lartë të ekspertizës” tha Berisha duke shtuar se i takon Parlamentit të ri që ta votojë.

Gjithashtu kryeministri Berisha sulmoi edhe mazhorancën e re sa i përket programit të saj për universitetet. Sipas tij, platforma e qeverisë së re do të kundërshtohet nga Partia Demokratike në Parlament.

“Kuotat e universiteteve do të shkojnë në përputhje me programin e kësaj qeverie “me dyer të hapura për çdo të ri për të provuar ëndrrën universitare dhe për ta bërë realitet. Ne do ta kundërshtojmë në mënyrë demokratike platformën e re dhe do të bëjmë gjithçka që të rinjtë të ulen në bankat e universiteteve. Alternativa jonë është ajo e dyerve të hapura për të rinjtë” tha Berisha.

Kryeministri gjithashtu tha se vendim i rëndësishëm do të jetë edhe shpronësimi i pronarëve për investimin që do kryhet në energjitikë, në kaskadën e Devollit e zona të tjera.