Parlamenti i ri mblidhet në 9 Shtator

60

parlamentiSesioni i ri parlamentar nis punimet të hënën e dytë të muajit shtator, me datën 9. Në bazë të Kushtetutës Presidenti i Republikës ka dekretuar fillimin e legjislaturës së re pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

Në dekretin e Kreut të Shtetit për legjislaturën e 19-të thuhet se “në mbështetje të nenit 67, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi mbledhjen e Legjislaturës së XIX të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ditën e hënë, datë 9 shtator 2013, ora 18:00”.

Dekreti i Kreut të Shtetit erdhi një ditë pasi Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve shpalli zyrtarisht rezultatin e e zgjedhjeve të 23 qershorit, ku mazhoranca e re e koalicionit të majtë do të ketë nga 140 deputetë, 83 mandate, ndërsa opozita e djathtë do të ketë 57 mandate deputeti.

Ndërkaq në bazë të marrëveshjes zyrtare të koalicionit të ri qeverisës parlamenti do të drejtohet gjatë katër viteve të ardhshme nga kreu i LSI, Ilir Meta, ndërsa qeveria nga kreu i PS Edi Rama. Ndërkaq në bazë të ligjit seanca e parë e sesionit të ri parlamentar drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë, ç’ka mendohej se do të ishte ish kryetari i PD, Sali Berisha, deri në momentin që ai deklaroi se s’mund të drejtojë një parlament që vjen nga krimi.

Mbetet për tu parë se cili do të jetë deputeti që do të drejtojë seancën e parë të sesionit që me shumë gjasa do të jetë, Spartak Braho, ndërsa seanca do të jetë të hënën e 9 shtatorit, ku pritet të bëhet betimi i deputetëve dhe i qeverisë së re.