Berisha bëhet pishman dhe fshin statusin për Ramën nga “Facebook-u”

55

berisha-fbNëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”,  Berisha shprehet se pas aktit paranojak të mashtrimit për armët kimike siriane dhe reagimit tejet të pazakontë ndaj kancelares Merkel dhe pesë vendeve të tjera, që refuzuan statusin e Shqipërisë në BE, Rama duhet të shkojë të vizitohet tek psikiatri. Sipas Berishës, kryeministri Rama ka dëmtuar rëndë imazhin e vendit në Europë dhe në botë.

Por pak minuta pas këtij postimi, duket se Berisha është bërë “pishman” dhe e ka fshirë statusin nga “Facebook-u”.

Ja së çfarë shkruante Berisha në “Facebook”, përpara se ta fshinte:

Pas aktit paranojak të mashtrimit për armët kimike siriane dhe reagimit tejet të pazakontë të kancelares Merkel, kryeministrave të Britanisë së Madhe dhe Holandës, David Cameron dhe Mark Rutte, ndaj sulmit skizoid të Edi Ramës kundër pesë vendeve dhe udhëheqësve të tyre që refuzuan statusin e vendit kandidat, vizita e Ramës tek psikiatri është jetike për të ardhmen e marrëdhënieve tona me SHBA-të, BE-në, NATO-n dhe botën.

Edi Rama duhet vizituar te psikiatri, sepse ai në një hark kohor tre mujor, ka kryer akte të paimagjinueshme për një njeri normal, për një qeveritar normal, me të cilat ka dëmtuar rëndë imazhin e vendit në Europë dhe në botë. Rama duhet të vizitohet sepse në një akt paranojak, duke besuar zërat e tij të brendshëm se ai do bëhej një nga katër burrat me të rëndësishëm të tokës, mashtroi për dy muaj rresht partnerin dhe mikun tonë me kryesor, por dhe mbarë botën për armët kimike siriane.

Edi Rama duhet vizituar sepse ai, pas refuzimit të statusit të vendit kandidat, për shkaqe të lidhura direkt me zëvendësimin e shtetit ligjor me shtetin policor, rrëzimin e neneve të kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të vendit me vendime të qeverisë Rama – Meta, si dhe lidhjeve të fuqishme të kupolës socialiste me krimin e trafiqet, ndërmori një sulm të tipit skizoid me akuza ndaj qeverive të pesë vendeve që refuzuan statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Edi Rama duhet vizituar menjëherë tek psikiatri sepse ai në një akces maniakal akuzoi Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Holandën dhe Danimarkën, se ata refuzuan statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, për shkak të problemeve të brendshme në vendet e tyre.

Rama duhet vizituar sepse me fjalimin e tij delirant, bëri që në një akt tepër të rrallë, kancelarja e Gjermanisë, kryeministrat e Britanisë së Madhe dhe Holandës të reagojnë jo me ministrat e tyre të Punëve të Jashtme, as me zëdhënësat e tyre apo të qeverive të tyre, por direkt vetë dhe të hedhin poshtë akuzat e shplara të një mendje të sëmurë, dhe tu deklarojnë shqiptareve se shkaqet e refuzimit nga ana e tyre, të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, nuk janë kurrë ato që trillon me fantazinë e tij të sëmurë Edi Rama.

Kancelarja Angjela Merkel, Kryeministrat David Cameron dhe Mark Rutte, u deklaruan publikisht shqiptarëve se shkaqet e vërteta se përse ata nuk janë dakord për statusin e vendit kandidat për vendin tonë qëndrojnë në kërkesat e tyre për zbatimin serioz të ligjeve dhe reformave nga kreu i qeverisë, funksionimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Kurse për gjermanin më të rëndësishëm në Bruksel, zotin Elmar Brook, Shqipëria do kishte marrë statusin e vendit kandidat vitin e kaluar, por është vetë Edi Rama dhe PS që bllokoi statusin e vendit kandidat, me qëndrimin e tyre ndaj zgjedhjeve të vitit 2009, ndaj dhe tani ata duhet të japin prova. Kurse përfaqësuesi direkt i PE-së për Shqipërinë i kërkoi publikisht Edi Ramës të luftojë korrupsionin në partinë e tij.

Edi Rama duhet vizituar për gjendjen e tij psikike, pasi ai po na prish me gjithë botën. Asnjë nga ne nuk ka moral e të drejtë të qëndrojë soditës ndaj rrënimit të marrëdhënieve tona me SHBA-të, BE-në, NATO-n dhe OKB-në. Edi Rama duhet vizituar dhe sa me shpejt, në rast se në të gjithë nuk duam të konsiderohemi nga të tjerë një komb i sëmure psikik apo qenie mjerane që i nënshtrohemi një njeriu të mjekuar për 13 vjet, për psikozë bipolare. Ne të tillë nuk jemi”.