Berisha: Arratisja e të burgosurve, faji i qeverisë

14

berisha sadIsh- kryeministri Sali Berisha fajëson qeverinë për arratisjen e 7 të burgosurve nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë. Në një postim në facebook ai shkruan se rendi dhe siguria në rënie të shpejtë.

“Të dashur miq, dje u thye në Drenovë burgu i sigurisë më të lartë dhe 7 të burgosur, shumica me dënim të përjetshëm, të armatosur deri në dhëmbë, u larguan prej tij sikur të ishin në një hotel. Ky akt i pashembullt është produkt i bashkëpunimit të suksesshëm të këtij grupi vrasësish me eksponentë dhe strukturat e reja qeveritare të interesuara apo detyruara për lirimin e tyre. Këtë fakton qartë armatosja e tyre në burgun e sigurisë më të lartë, largimi i tyre pa kurrëfarë rezistence nga rojet e armatosura të rrethimit të burgut.”- shkruan Berisha në facebook.

Më tej ai vazhdon se bandat që ndihmuan me para dhe dhunë ardhjen në pushtet të koalicionit Rama – Meta, tani një nga një kërkojnë shpërblimin e tyre. “Natyrisht ndalimi nga Policia i 4 prej 7 të arratisurve është një akt për tu përshëndetur. Por dalja e ministrit të brendshëm në media, demaskon atë si njeri të kapur dhe angazhuar në betejën e bandave që mbështesin atë me bandat rivale.”- shkruan më tej Berisha.

Sipas ish-kryeministrit në dy muaj përpjekje jo për të siguruar rendin dhe qetësinë por për të shndërruar me shpejtësi Policinë e Shtetit në policinë e Partisë Socialiste, siguria në vend po bie me shpejtësi, vrasjet, eksplozivat, maskat në rrugë, pengmarrjet, trafiqet po rriten me shpejtësi marramëndëse. “Por mjerisht ky është vetëm fillimi i procesit të shndërrimit të vendit në një protektorat krimi me pasoja shumë të rënda për çdo qytetar dhe vendin në tërësi. “- përfundon postimin Berisha.