Berisha akuza Ramës nga Tropoja

64

June-12-23-2-28IMG_0265Si rrallë ndonjëherë në historinë e tij, qytetarët e B. Currit kanë tejmbushur qëndrën e qytetit, në një miting madhështor në nder të birit të tyre, kryeministrit Sali Berisha. Kryeministri Berisha në fjalën e tij duke ju referuar investime të qeverisë në këtë zonë, theksoi se katër vitet e fundit kanë qenë vite ndryshimi për Tropojën dhe Shqipërinë. Nën entuziazmin e simpatizantëve, askund më mirë se në Tropojë Berisha nuk do të mund të drejtonte ftesën ndaj socialistëve për t’iu bashkuar alternativës së PD.

“Sëbashku kemi bërë gjithçka që pasuritë e Tropojës dhe Shqipërisë të shndërrohen në mirësi, rroga dhe mirëqënie për ju. Janë asfaltuar këto vite rrugë në të katër anët e rrethit të Tropojës, janë ndërtuar dhe rindërtuar shumica e shkollave të këtij rrethi. Vajzat dhe djemtë e e rrethit tuaj nuk përjashtohen më si para 8 viteve nga e drejta e studimit. Kemi dyfishuar pensionet, kemi rritur rrogat e arsimtarëve, mjekëve dhe infermierëve, kemi rritur mirqënien në mbarë Shqipërinë. Vitet e fundit Tropoja dhe Shqipëria njohën ndryshimet më të mëdha historike. Alternativa jonë bazohet në një ndërmarrje të përbashkët për të zhvilluar vendin. Sot jam këtu për t’iu drejtuar një thirrje vëllazërore të gjithë socialistëve të Tropojës dhe mbarë Shqipërisë, bashkohuni me ne, me projektin tonë. Ju ju bashkon me ne përpjekja për të ndërtuar një infrastrukturë dinjitoze në katër anët e vendit, përpjekja për krijimin e vendeve të reja të punës, për Tropojën dhe Shqipërinë turistike, Tropojën dhe Shqipërinë europiane” deklaroi Kryeministri.

Kreu i koalicionit të djathtë ka sulmuar alternativë e majtë, ku deklaroi se shoku i autobusit do të shkelmojë gjithçka që qeveria shqiptare dhe qytetarët e saj kanë realizuar gjatë këtyre viteve.

“Alternativa tjetër është ajo  e nxirjes, poshtërimit të gjithckaje që ju keni realizuar. Në krye të fushatës pasagjeri i autobusit mavi shpalli Shqipërinë tuaj, Shqipërinë tonë, Shqipërinë anëtare të NATO-s, të vizave, e shpalli Shqipërinë e gënjeshtrës. NATO-n si natë njësoj si etërit e tij, ndërsa  BE për të është  asgjë. Nga autobusi i tij, për të, rrugët e ndërtuara me taksat tuaja nuk ekzistojnë, rritja e rrogave dhe pensioneve nuk janë të vërteta. Shoku i autobusit do të shkelmojë gjithçka që keni realizuar” tha ai.

Ndërsa na ndajnë pak ditë nga zgjedhjet, Kryeministri tha se në 23 qershor përballen jo vetëm dy alternativa por dhe dy modele, ai i qytetarit dhe Sali Berishës përballë modelit të bllokatorit Rama. I gjendur shumë pranë Kosovës , Berisha ka rikujtuar dekorimin e Goran Bregoviçit nga Rama, shpërblim që sipas tij kryesocialisti i bëri atij që i këndoi xhelatëve të popullit kosovar.

“Me 23 qershor përballen jo dy alternative, por dhe dy modele, modeli juaj dhe i Sali Berishës që bazohet në besimin tek puna dhe  idetë tuaja juaja. Modeli juaj dhe i Sali Berishës që bazohet në vokacionin, ëndrrën tonë europiane  që ne të arrijmë sa më shpejt stacionin e ndritur, BE.  Modeli tjetër është modeli i Edi Ramës, njeriu i cili nuk ka lënë fjalë të ndyrë pa hedhur mbi vendin e tij. Modeli i Edi Ramës është dekorimi i atyre që u kënduan xhelatëve të popullit e Kosovës në një kohë kur ju sakrifikonit jetën tuaj për larine e saj. Pa u tha akoma gjaku i djemve tuaj të rënë për lirinë e Kosovës, Edi Rama do dekoronte Goran Brogovicin si shpërblim për masakrën në popullin e Kosovës. Modeli i Edi Ramës është modeli i përcmimit ndaj cdo kundërshtari, njeriu që agreson me brutalitet edhe fizikisht cilindo që mundet. Modeli i Edi Ramës është modeli për të cilin familja është treg dhe tregëti, që martohet dhe ndahet sa herë kërkon të fitojë më shumë vota  në zgjedhjet që i humbet gjithnjë, modeli i Ramës është modeli që nuk nguron të shkelmojë mbi cdo interes tuajin.  Mbi këtë modelRama mbajti për 231 ditë statusin e vendit kandidat, atë që i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve s’ia bëri dot askush përvec etërve të tij. Modeli i tij është modeli i hekurave të burgut, padive për këdo që e kundërshton” përfundoi Kryeministri Berisha.

Ndërkaq kandidati për deputet në qarkun e Kukësit, Minsitri  Flamur Noka, tha se alternativa e majtë është ajo e kolltuqeve dhe pazareve, pa një program të qartë, thesht një bllok mavi me shgarravina.

“Pak ditë na ndajnë nga fitorja e madhe e PD dhe këtu në Tropojë uragani i fitores do nisë dhe nuk do ndalë, Tropoja dhe gjithë shqiptarët do votojnë Sali Berishën. Tropoja dhe gjithë shqiptarët smund të mbështesin alternativën e zezë, alternativën e bllokimit, alternativën e karriges së Edi Ramës. Ai ju paraqet një bllok mavi, pacavure me shgarravina që se kupton as vetë ai dhe as socialistët. Alternativa e tij është alternativë pazaresh dhe kolltuqesh, ndërsa ajo e PD është alternativë për qytetarin.Sali Berisha është alternativa e ndryshimit të Tropojës, është alternativa për punësimin, mirëqënien dhe integrimin” tha Noka.

Ndërsa kandidati për deputet për Tropojën Besnik Dusha deklaroi se uragani i fitores së PD do nisë pikërisht nga ky rreth, duke shfaqur bindjen se malësorët do ti thonë jo si gjithmonë Edi Ramës dhe partisë së tij.

 Më pas Kryeministri Berisha dhe kandidatët për deputetë për qarkun e Kukësit kanë ndaluar edhe në qëndrën e Hasit, qytetin e Krumës. Kryeministri ka ftuar hasianët  dhe mbarë banorët e këtij qarku të angazhohen maksimalisht këto ditë të fundit të fushatës elektorale për të bindur cdo qytetar për t’iu bashkangjitur PD dhe alternativës së saj.

“Pak vite më parë në këtë shesh premtova heqjen e vizave dhe sot lëvizim të lirë. Ne u angazhuam drejt Europës, merituam statusin kandidat të cilin na e bllokoi një njeri por e detyruam ti votojë ligjet dhe shumë shpejt statusin do ta marrim. Vite më parë rruga e kombit dhe tuneli i Kalimashit dukej një ëndërr e largët, por sot ato janë realitet. Entuziazmin e zjarrtë që keni për fitoren të bëjmë gjithcka këto 8 ditë që kanë mbetur për të bindur cdo banor të Hasit të vijë me ne, me alternativën tonë, alternativën e një infrastrukture moderne, shtimit të vendeve të punës, subvencionimin e fermave, të vinë me alternativën tonë për rritje të mëtejshme të rrogave dhe pensioneve, për ecjen përpara drejt integrimit në BE, të vinë me ne për të hequr vizat me SHBA, të vinë me ne për të hequr doganat me Kosovën. Kjo është alternativa jonë” tha ai.