Beqaj: 2014-ta, viti i ndryshimeve rrënjësore në shëndetësi

44

beqajMinistri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar nga zv.ministrja, Milva Ekonomi, vizitoi sot në ditën e parë të vitit 2014 spitalet universitare obstetrike gjinekologjike “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni” në qytetin e Tiranës, për të përshëndetur foshnjat e para të lindura në natën e ndërrimit të viteve dhe personelin e këtyre dy institucioneve shëndetësore.

Duke vizituar pavionin e lindjeve në SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, Ministri Beqaj uroi nënën e foshnjës së parë të lindur në natën e ndërrimit të viteve, djalit të quajtur Noel. Sipas Drejtorit të SUOGJ “M. Geraldinë”, Dr. Blenard Nonaj, Noeli ka lindur në orën 00:10 minuta në natën e ndërrimit të viteve, gëzon shëndet të plotë dhe është 4 kilogramë.

“Urime prindërve të Noelit. Respekt dhe mirënjohje për bluzat e bardha që edhe kur ne festojmë, janë në shërbim të qytetarëve, sidomos këtu në maternitet, i cili është thelbi i vazhdimësisë së jetës,” – tha Ministri Beqaj.

Më pas, Beqaj vizitoi edhe SUOGJ “Koço Gliozheni”, ku i shoqëruar nga Drejtorja Dr. Rubena Moisiu, përshëndeti nënën e fëmijës së parë të lindur në natën e ndërrimit të viteve në këtë maternitet, vajzës së quajtur Enxhi. Gjithashtu, ministri vizitoi edhe pavionin e reanimacionit të këtij institucioni ku u njoh nga afër me kushtet dhe punën e personelit mjekësor të këtij pavioni.

Në një prononcim për mediet gjatë kësaj vizite, Beqaj uroi që viti 2014 të jetë një vit i mbarë, në të cilin të realizohet ëndrra europiane e popullit shqiptar. “2014-ta do të jetë viti i fillimit të ndryshimeve rrënjësore në sistemin e kujdesit shëndetësor,” vazhdoi më tej Beqaj.

“Do të fillojmë me kontrollin bazë falas për grupmoshën 40-65 vjeç, si dhe do të kemi për herë të parë mamografë të lëvizshëm që të çojmë kujdesin parandalues dhe diagnostikimin e hershëm në të gjithë territorin. Edhe një herë, Gëzuar 2014,” tha Beqaj.