Belgjika, dakord që Frroku të gjykohet në Tiranë

59

frroku9-275x399Belgjika bie dakord zyrtarisht që të transferojë dosjen e gjykimit ndaj deputetit Mark Frroku në Shqipëri, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje ekstradimi, nëse Gjykata e Brukselit e dënon në vijimësi për akuzën e vrasjes.

Burime zyrtare nga prokuroria thanë se materialet e dosjes i ka marrë përsipër Prokuroria e Përgjithshme belge dhe Ministria e Drejtësisë së këtij vendi, për t’i sjellë në rrugë diplomatike së shpejti për llogari të Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare. Ashtu edhe siç ishte lajmëruar më parë në DITA, mungesa e marrëveshjes së ekstradimit nuk pengonte arrestimin apo gjykimin e deputetit. Frroku akuzohet për një vrasje të kryer në vitin 1999 në Bruksel, krim në bashkëpunim, ndaj Aleksandër Kurtit.

Deputeti mbante edhe identitetin Besnik Morina dhe shkaqet e ngjarjes sipas prokurorisë belge ishin rivaliteti për çështje prostitucioni. Në dosjen e urdhër-arrestit shkruhej se Frroku kishte qenë i dënuar edhe në Holandë me 3 vite burgim për drogë, deri në 2004, ndërsa u ekstradua në Bruksel për vrasjen dhe më pas u la i lirë.

Në vitin 2010 gjykata e dënon me 10 vjet burg, bashkë me Arjan Bytyçin (Hilë Joka), por vendimi apelohet dhe Gjykata e Kasacionit vendos rigjykim për shkelje procedurash. Gjyqi ishte vendosur të niste në tetor 2015, por aktualisht është konfirmuar transferimi i dosjes në Shqipëri dhe ky proces pritet të bëhet në Gjykatën e Lartë. Frroku akuzohet edhe për “kallëzim të rremë” në dosjen “Doshi”, si dhe 4 akuza për fshehje pasurie, të ngritura nga ILDKPI për 2,9 mln dollarë të pajustifikuara, që dyshohet se janë fitime nga aktiviteti i paligjshëm jashtë vendit.