Bashkia në aksion elektoral, prish një kat pa leje

20

hoxhaKur kanë mbetur vetëm 8 ditë nga zgjedhjet Bashkia e Tiranës, duket se ka zhvendosur fushatën elektorale në një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje në territorin e saj. Kësaj radhe operacionet e saj janë fokusuar në zonën e ‘Don Boskos’, ku kishte filluar ndërtimi i një kati tjetër mbi një pallat 10 katësh. Edhe pse ndërtimi kishte nisur muaj më parë, kohë kur ishte denoncuar nga banorët policia elektorale e Bashës, ka vendosur ta prishte të shtunën, duke mos harruar të përcillte nëpërmjet kamerave televizive show-in e radhës. Florenc Hoxha, drejtor i policisë bashkiake në kryeqytet u shpreh se askush në territorin e Tiranë nuk do të ndërtojë pa leje, ndërsa aksione të tilla do të vazhdojnë gjatë gjithë kësaj periudhe. Por ndryshe nga ai, banorët thanë se gjithçka do të kishte shkuar më mirë nëse ndërtimi do të prishej që në momentin kur ishte denoncuar, çka shkurtonte shpenzimet si dhe dëmin ekonomik e stresin e përditshëm të tyre. “U kërkoj qytetarëve që të na ndihmojnë, duke telefonuar në numrat tanë pa pagesë për të denoncuar çdo konstatim të ndërtimeve pa leje. I garantojmë ata se Inspektoriati Ndërtimor dhe Policia Bashkiake e Tiranës janë në dispozicion të tyre 24 orë në 24, për të parandaluar të gjithë ndërtimet pa leje” – u shpreh Hoxha, i cili në fakt deri tani duket se ka qenë i angazhuar për goditjen e bizneseve të mbështetësve të opozitës.