Basha: Me Olldashin të njëjtat mendime mbi qeverinë si rrezik i demokracisë

63

basha-olldashiGjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar demokrat Kreu i PD-së Lulzim Basha i ftoi deputetët të mbajnë një minute heshtje në nderim të Sokol Olldashit.

Gjatë fjalës së tij Basha theksoi një moment shumë të rëndësishëm për të, ku në në një takim të përzemërt dhe të hapur që kishte pasur me deputetin Olldashi vetëm pak ditë para aksidentit tragjik, ato të dy kishin ndarë të njëjtat mendime për qeverinë e shumicës së sotme, si një faktor rreziku për demokracinë dhe ekonominë shqiptare. 

Fjala e plotë e Bashës 

Të nderuar deputetë,

E di se ne këtë moment të  gjithë i kemi sytë tek ajo buqetë me lule  aty,  kemi në mendje Sokolin, mikun tonë të shtrenjtë, deputetin tonë  shembullor, që u nda  tragjikisht nga jeta natën e zezë të mërkurës së shkuar dhe dua ta nis këtë mbledhje të Grupit Parlamentar .

Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje në nderim të tij…

I paharruar kujtimi i tij!

Mijëra mesazhe ngushëllimi i kanë ardhur këto ditë Partisë Demokratike, mua si kryetar i saj nga njerëz të  thjeshtë brenda  dhe  jashtë vendit, nga organizata të ndryshme të shoqërisë civile, nga komunitet fetare, nga  parti dhe politikanë  shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, nga parti simotra europiane, nga miq të huaj, nga përfaqësues  diplomatikë  të vendeve  mike të botës këtu në Tiranë, e shumë të tjerë. Të  gjithë  janë bashkuar me dhimbjen tonë, me dhimbjen e familjes dhe të afërmeve të Sokolit,  me dhimbjen e  mbarë vendit për ketë humbje të rëndë.

Në emrin tuaj dëshiroj t’i falenderoj  nga zemra të gjithë për ngushëllimet  e tyre të ndjera.

Secili prej nesh, të dashur miq,  dhe bashkë me ne qindra – mijëra demokratë, sjellim sot  në mendje episode të ndryshme të njohjes me Sokolin, takimeve me të, të punës me të, të bashkëudhëtimit me të në rrugën e sfidave  të shumta,  qeverisëse dhe  opozitare që ka përballuar e përmbushur gjatë këtyre  dy dekadave Partia Demokratike.

Secili ka diçka të  vetën për të kujtuar. Tërësia e episodeve në lidhjen e tyre është përmendorja e nderimit tonë, e respektit tonë, e vendosmërisë sonë të njëzëshme për ta mbajtur të gjallë në zemrat tona kujtimin e Sokolit.

Kam edhe unë shumë e shumë episode të bukura për të  kujtuar, për të treguar, sepse na pat rënë të dyve shorti dhe nderi të  lançoheshim  në  moshë të re në politikën e lartë nga kryetari historik i Partisë Demokratike Sali  Berisha, dhe të merrnim të dy përgjegjësi të mëdha në qeverisjen tetëvjeçare të Partisë Demokratike.

Po evokoj shkurtimisht në këtë mbledhje takimin shumë të përzemërt dhe të hapur që patëm vetëm pak ditë para aksidentit tragjik. Folëm shtruar për  zhvillimet  politike,  ndamë të njëjtat pikëpamje për  qeverinë e shumicës së sotme që është shndërruar në faktor rreziku për demokracinë dhe ekonominë shqiptare me paligjshmërinë dhe arbitraritetin e saj të ngritur në sistem brenda një kohë të shkurtër.

Ndamë gjithashtu bindjen se përballë këtyre sfidave grupi ynë parlamentar dhe mbarë Partia Demokratike duhet të vazhdojmë të qëndrojmë fort me fakte, profesionalizëm dhe argumente, me bashkim dhe kohezion të fortë  opozitar, duke bërë nul në këtë mënyrë çdo përpjekje apo projekt të kundërshtarëve tanë në qeveri për të futur përçarje, për të krijuar opozitën e opozitës, me qëllim dobësimin dhe eliminimin e Partisë Demokratike që është ëndrra e tyre e vjetër.

Sokoli iku në kulmin e moshës, në aksidentin fatal të së mërkurës, që na veshi në zi të gjithëve. Nuk mund të linte amanete, por unë dhe ju e dimë mirë se opozita e fortë, ballore dhe e pandashme kundër qeverisë  Rama-Meta ishte gjithashtu kredoja e tij politike, se  kohezioni opozitar,  në respekt të lirisë demokratike të diskutimeve dhe debateve,  ishte gjithashtu formula e tij për Fillimin e  Ri dhe Ringritjen që synojmë.

Duke forcuar e modernizuar opozitarizmin, duke forcuar radhët tona, duke i zgjeruar radhët  tona me një hapje të re të  fuqishme të Partisë Demokratike ndaj brezit të ri dhe njerëzve të lirë të Shqipërisë, ne nderojmë kujtimin dhe veprën demokratike të mikut dhe kolegut tonë të paharruar Sokol Olldashi.