Basha: “Nëpunësi civil”, cënon rëndë demokracinë

54

basha2-1024x694Kryetari i Partisë Demokratike, përgjatë përurimit të rrugës “Him Kolli” në Tiranë, ka akuzuar qeverinë e re, se po cënon rëndë demokracinë me ligjin e “nëpunësit civil”.

Në lidhje me deklaratat e një dite më parë të Nënkryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, Basha tha se, deklaratat për dialog dhe bashkëpunim nuk kanë më asnjë kuptim, pasi mazhoranca ka prishur tashmë konsensusin unanim të 30 majit.

“Fjalët i merr era në qoftë se nuk shoqërohen me vepra. Stërbetimet për dialog dhe bashkëpunim me opozitën s’kanë asnjë kuptim, kur akti i parë është prita që i bëhet konsensusit unanim të 30 majit. Akti normativ i sjellë në Parlament nuk lë vend për diskutim.

 Këtë e di çdo kush, uroj ta dijë edhe Kryetari i Kuvendit, që akti normativ o votohet, o hidhet poshtë, pra nuk ka vend për dialog. Në këtë kuptim, opozita është e vendosur të mbrojë vlerën e konsensusit, pikë së pari, si një vlerë të kulturës evropiane të politikë-bërjes dhe pikë së dyti, si një garanci për balancimin dhe kontrollin e pushteteve në demokraci dhe sa kohë që arbitrariteti dhe abuziviteti janë fakte, nuk ka asnjë vlerë fjala e mirë. Fjala e mirë ka vlerë vetëm nëse shoqërohet me vepra të mira” – ka deklaruar Kryetari i PD, Lulzim Basha.

Kreu i PD-së e ka lënë të hapur faktin nëse PD do të vazhdojë të bojkotojë Kuvendin në lidhje me ligjin e “Statusit të Nëpunësit Civil”.