Gjatë një prononcimi për ATSH-në, në përfundim të mbledhjes së dytë të Komisionit Hetimor mbi lëvizjet në Policinë e Shtetit, Balla tha se ndihet i qetë për veprimtarinë e Komisionit.
“Si pjesëtar i komisionit hetimor në fjalë dhe maxhorancës ndihem i qetë. Ministri i Brendshëm gjatë këtyre 4 muajve në detyrë ka zbatuar ligjin, madje ka forcuar Policinë e Shtetit, duke rritur sigurinë në vend. Jam i sigurtë që në përfundim të punës së këtij Komisioni, Partia Demokratike nuk do të mund të vërtetojë dot akuzat e saj, përkundrazi do hedhë edhe më shumë dritë mbi punën e mirë të Ministrit të Brendshëm”, nënvizoi Balla.
Deputeti i Partisë Socialiste tha se maxhoranca është e hapur për të ngritur Komisione Hetimore sa herë të ketë dëshirë opozita.
“Ngritja e Komisionit Hetimor është një e drejtë kushtetuese, e cila na është mohuar më parë kur ishim në opozitë, por sot Partia Demokratike mund të kërkojë sa herë të ketë dyshime ngritjen e Komisioneve Hetimore, pasi maxhoranca është e vendosur për transparencë”, përfundoi Balla.
Sakaq, Komisioni hetimor parlamentar për kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi për procesin e lëvizjeve të burimeve njerëzore në Policinë e Shtetit, miratoi sot rregulloren e tij, vendosi planin e punës që ky komision do të zbatojë gjatë veprimtarisë së tij 2-mujore dhe shpalli të hapur hetimin.
Gjatë seancës, që u zhvillua sot, në kryesinë e Kuvendit ku ishin të pranishëm të 15-të anëtarët e Komisionit, u miratua rregullorja me 24-të pika, u pranua plani i veprimit dhe u deklarua e hapur puna e Komisionit.
Gjatë seancës, pati diskutime të shumta lidhur me disa pika të rregullores, ku deputetë të të dy palëve, të shumicës dhe pakicës dhanë argumentet e tyre mbi të drejtat dhe detyrimet e kryetarit të Komisionit, anëtarëve të tij si dhe sekretarisë së Komisionit. Në përfundim të diskutimeve Komisioni Hetimor miratoi me konsensus të plotë të gjitha pikat e rregullores, së bashku me amendamentet përkatëse.
Po ashtu në përfundim të diskutimeve lidhur me planin e punës, Kreu i Komisionit, deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, deklaroi të hapur hetimin.
Komisioni hetimor parlamentar do të hetojë mbi emërimet dhe shkarkimet në Polici për periudhën 15 shtator 2013-31 janar 2014.
Dy ditë më parë, në mbledhjen e parë konstituuese u miratua Ermonela Felaj sekretare e komisionit. Sipas kryetarit të komisionit, Arben Ristani, objekt i hetimit parlamentar do të jetë zbatimi i legjislacionit për procesin e lëvizjeve në Policinë e Shtetit, për periudhën 15 shtator 2013-31 janar 2014. Ky hetim do të përfshijë verifikimin e largimeve, transferimeve dhe punësimeve të reja në polici, si dhe pasojat që kanë sjellë këto ndryshime në garantimin e sigurisë publike. Veprimtaria e komisionit do të përfundojë brenda datës 6 prill 2014.