“Në total kemi paraqitur 7 rekomandime dhe jemi i drejtuar me shumë shkresa organeve të administratës shtetërore qoftë në nivel qendror dhe në nivel lokal. Problematikat kryesore ose fushat kryesore ku ne jemi fokusuar ka qenë: Mospërfshirja e administratës shtetërore në aktivitetet politike zgjedhore; mospërfshirja e nxënësve dhe mësuesve të shkollave në tubime politike gjatë kësaj periudhe dhe gjatë orarit të mësimit; krijimin e kushteve për të mundësuar votimin e kategorive problematike, grupeve të margjinalizuara.
Kemi shkuar dhe kemi iniciuar hetime veçanërisht për përfshirjen e administratës në aktivitete zgjedhore gjatë orarit të punës. Na ka rezultuar në disa raste që gjatë orarit zyrtar administrata nuk ka qenë në detyrë, nuk u ka ofruar shërbime qytetarëve dhe për këtë shkak i jemi drejtuar me rekomandime. Për fat të keq deri më sot ka ndodhur e njëjta gjë, pra rekomandimet tona janë lënë në heshtje, ndërsa është detyrimi i administratës që të kthejë një përgjigje të arsyetuar. Pra, jo të zbatohen automatikisht rekomandimet tona, por të informojnë në lidhje me ato që ne na kanë rezultuar nga hetimi”, -ka deklaruar Avokati i Popullit.