Kapet 56-vjeçari i dënuar për ngacmim seksual të gazetares

54

dajlaniNjë 56 vjeçar i divorcuar, baba i dy fëmijëve, u arrestua të enjten nga Policia e Tiranës, pasi rezultonte person në kërkim, i dënuar me 2 vjet burg për përndjekjen e një gazetareje. Sipas policisë, i arrestuari është Olger Zylfi nga Elbasani dhe banues përkohësisht në kryeqytet, ku jetonte në një banesë me qira.

Arrestimi i tij u bë nga shërbimet e Komisariatit Nr.1, ku edhe mbahet në paraburgim, derisa t’i komunikohet vendimi i gjykatës. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se Zylfi akuzohet për përndjekjen dhe kanosjen e gazetares 26 vjeçare, Denada Dajlani, në vitin 2012. Vendimi i formës së prerë i Gjykatës së Tiranës, që e dënon me 2 vjet burg, është marrë në mars të këtij viti. Sipas vendimit të Gjykatës, më 12 shtator të vitit 2012, Prokuroria e Tiranës mbi bazën e kallëzimit të bërë nga gazetarja Dajlani ka regjistruar procedimin penal për veprën “përndjekje”, në ngarkim të shtetasit Olger Zylfi.

“Shtetasja Denada Dajlani është e punësuar në kompaninë ‘Top Media’ dhe drejton një emision në radion ‘Top Albania’, duke vënë në dispozicion të dëgjuesve dhe numrin e telefonit. Pikërisht në këtë numër është marrë vazhdimisht në telefon nga numri 0662110210, i cili i përkiste shtetasit Olger Zylfi”, citohet vendimi i gjykatës në shtypin shqiptar të së premtes. Zylfi me anë të këtij numri telefoni vazhdimisht i ka dërguar Dajlanit mesazhe ngacmuese dhe, përveç mesazheve, ka shkuar disa herë te zyrat e kompanisë ku ajo punon, duke kërkuar me këmbëngulje që ajo të dilte ta takonte. Madje thuhet se ai i ka dërguar edhe here pas here dhurata, të cilat gazetarja i ka refuzuar. Veprimet shqetësuese dhe që përbëjnë vepër penale të Olger Zylfit, i ka sqaruar në deklarimin e saj në polici vetë gazetarja e dëmtuar.