Në njoftimin që PS ka sjellë sot për mediat, thuhet se Balla i është referuar gazetës Die Welt sipas të cilës prezantohet Shqipëria e vërtetë dhe jo Shqipëria e disa mediave të cilat në mënyrë të qëllimshme mundohen t’i bëjnë dëm imazhit të Shqipërisë.
Balla: Për fat të keq, opozita shqiptare është munduar edhe në Gjermani, të hedhë baltë mbi Shqipërinë dhe mbi rrugën europiane të saj, por unë jam i bindur që këtu kjo baltë nuk ngjit për sa kohë që vlerësimi është teknik. Ky vlerësim ka të bëjë me realizimin e këtyre reformave; Reforma në Drejtësi, apo lufta kundër krimit dhe korrupsionit njihet si rezultat pozitiv dhe progres i dukshëm nga ana e Shqipërisë.
Po ashtu dua të ndaj me ju faktin që gazeta më e madhe gjermane, përsa i përket edhe qasjes në politikën e jashtme, Die Welt kishte një edicion të veçantë kushtuar Shqipërisë.
Në më shumë se 50 faqe kjo gazetë kishte prezantuar një Shqipëri të vërtetë, jo Shqipëria e disa mediave të cilat në mënyrë të qëllimshme mundohen t’i bëjnë dëm imazhit të Shqipërisë.
Deklarata e Ballës vjen një ditë pasi gazeta gjermane ‘Bild’ publikoi disa përgjime të reja nga dosja 339 mes Astrit Avdylit me Vangjush Dakon dhe zyrtarë të tjerë lokalë në Durrës.