Artan Fuga: Nëse rezultati zgjedhjeve do ishte i ngushtë rrezikonim kaosin

50

 fugaGazeta ” DITA”

Profesor, jemi rreth 10 ditë pas përfundimit të një procesi të rëndësishëm në Shqipëri, zgjedhjet e përgjithshme. Ju si e keni lexuar në përgjithësi atë që ndodhi me Shqipërinë para dhe pas 23 Qershorit?

Për mua në radhë të parë ishte një aspekt psikologjik. Kam përshtypjen se një pjesë e mirë e elektoratit, donte të provonte një ekip të ri në qeverisje. Them psikologjik, sepse njeriu në përgjithësi, kërkon të dijë se çfarë do t’i sjellë dita që vjen. Nga kjo pikëpamje mua më dukej, se sado cinike, fushata e opozitës së majtë, e mbështetur tek faktori kohë, pra tek domosdoshmëria e rinovimit të lidershipit, pati ndikim. Së dyti ishte tregues i një pakënaqësie të akumuluar, për arsye qoftë edhe i të metave në qeverisje, të cilat me vite akumulohen dhe ku shpesh çdo njeri, gjen një arsye për të qenë i pakënaqur. Së treti, për t’i qëndruar, kërkimeve të mia, pohoj atë që e kam përsëritur në vitet e fundit se modeli social-politik-ekonomik-kulturor i vendosur në vitin 1992, i ishin shterur energjitë krijuese dhe duhej transformuar në përshtatje me kohën brenda një koncepti demokratik.

Ishte evident tensioni në vigjilje të ditës së zgjedhjeve. Shumëkush kishte pikëpyetje për mënyrën se si do të shkonte procesi, do të ishte normal apo degradues. Mendoni se përjetimi i ditës së zgjedhjeve si “Lufta te Pragu” tregon për diçka që nuk shkon në këtë vend?

Po. Unë i përgjigjem pozitivisht pyetjes tuaj. Për të qenë i sinqertë jam nga ata që mendoja se ndodheshim në pragun e një kaosi politik dhe social. Fatmirësisht analiza ime doli dhe e gabuar. Por, unë i qëndroj faktit se kur një makinë e prishur vazhdon të eci në tatëpjetë, kjo nuk do të thotë se makina nuk është e prishur, por duhet të vihet e përpjeta që ky fakt të dalë në pah.

Përse kishit pritshmërinë e një kaosi?

E para, situata gjeopolitike rreth nesh shfaqte shenja ç’ekulibri të rëndë. Greqia, Turqia, Siria, disa muaj më përpara kriza politike në Itali, kriza e fuqishme financiare në shumë vende evropiane si në Spanjë e Portugali, më jepte idenë e një vale që rrezikonte të na përfshinte.  E dyta, si asnjëherë tjetër, institucionet e administrimit të zgjedhjeve dhe të njohjes së rezultatit të tyre ishin të mangëta. KQZ-ja pothuajse nuk kishte asnjë mundësi të ishte e besueshme në vendimmarrjen e saj. E treta, konstatoja se aleatët tanë ndërkombëtarë këtë radhë e kishin lënë klasën politike shqiptare ta zgjidhte vetë problemin. Unë i qëndroj faktit se nëse rezultati do ishte “rrotë më rrotë”, Shqipëria do të ishte në kaos. Unë jam shprehur gjithnjë për KQZ-në e ndarë si tortë mes partive politike, e cila është në kundërshtim me parimet themelore të një shteti ligjor.

Në fakt tek konfigurimi Kushtetues i institucioneve ju jeni ndalur gjatë dhe më parë, duke evidentuar një “varësi në themel” të shumë institucioneve kyçe në raport me partitë politike dhe “kapriçot” e tyre. Por duket se rezultati zgjedhor, sfidoi parashikimet dhe i ka dhënë maxhorancës së re, fuqinë e nevojshme për të bërë restaurime Kushtetuese. Nëse vullneti politik ekziston, ju si mendoni cilat janë pikat kryesore ku duhet ë ndërhyrë për të sjellë në normalitet institucionet?

Një fjalë kyçe: Ndarje e pushteteve. Për mua në Shqipëri, ka një ndarje të detyrave administrative mes sektorëve të pushtetit, por nuk ka ndarje pushtetesh. Pushtetet i kanë partitë dhe brenda partive i ka lidershipi i ngushtë i tyre. Hapi i parë do të ishte, të paktën të kishim një Kushtetutë si e Kosovës, ku ka më shumë pavarësi të gjyqësorit, ndaj legjislativit. Të gjitha pushtetet në Shqipëri, dalin nga parlamenti, i cili është i politizuar dhe i ndarë në krahë në ngjyra të theksuara politike. Vendit i duhet ta heqë pushtetin e tepërt që partitë kanë mbi pushtetet e tjera. Kjo për mua është sfida më e madhe e maxhorancë së majtë në vitet që vijnë. A do të dijë ajo, të shkojë drejt ndarjes së pushteteve, në momentin kur ka pushtet mbizotërues në parlament? Ajo që mua më shqetëson, është se deputetët e majtë kanë pranuar projektin e së djathtës për krijimin e AMMA-s(Agjencia e Monitorimit të Medieve Audiovizive) ku anëtarët të vijnë nga krahë politikë të ndryshëm. Për një Këshill Drejtues të TVSH-së, po prapë të ardhur nga korridoret politike, pra partiake. E njëjta gjë vlen dhe lidhur me procedurat e zgjedhjes së Presidentit të Republikës i cili aktualisht nuk është gjë tjetër veçse një “kompromis partiak politik” dhe nuk përfaqëson një shprehje të vullnetit të drejtpërdrejtë politik të sovranit. Unë e shoh Presidentit të Republikës, si një “noter” të vendimeve të partive politike. E njëjta gjë ndodh dhe me anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe me institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm. Për mendimin tim këto pushtete duhen ndarë sipas parimeve të demokracisë evropiane dhe amerikane. Është e thjeshtë, mjafton të krahasojmë Kushtetutën tonë me Kushtetutat e vendeve që përmenda. 

Duket sikur rendi jonë ekzistues kushtetues, në një mënyrë figurative, i jep mundësinë “ujkut të bëhet bari”. Mendoni se “ujqërit” mund ta tejkalojnë veten duke u vetëkufizuar?

Unë mbetem një idealist dhe mendoj se vetëkufizimi i pushtetit të vetvetes, sjell korrigjim të gabimeve të mundshme. Ky është një nga parimet bazë të kibernetikës, sistemet që vetëkorrigjohen. Edhe robotët me këtë parim prodhohen sot. Përndryshe, pushteti mund të verbojë, mund të bëhesh i pandjeshëm ndaj konjukturave të realitetit dhe dinamikave të opinionit publik.  Unë mendoj se, duhet kapërcyer modeli i tanishëm, i cili na ka dhënë shumë avantazhe si komb por i ka shterur energjitë e sotme. Kur Niçja thoshte se duhet të lindë mbinjeriu, atë e keqkuptuan dhe e interpretuan sikur duhej të lindë një individ me fuqi mbinatyrore. Jo, ai tha se mbinjeriu është prirja e natyrshme e njeriut për të kapërcyer vetveten, që është ndërkaq dhe sfida më e vështirë e njeriut. Unë këtu do të fokusohem për të matur parametrat e progresit tonë social dhe politik. Për shembull, do të kthehet administrata në një trup punonjësish publikë duke iu thënë Stop militantëve që presin “hisen”, apo do të vazhdojë administrata të fryhet çdo vit, duke u konsideruar si sektori më i sigurt për të ulur papunësinë mes militantëve të papunë. Kjo është një sfidë.

Të gjithë treguesit aktualë ekonomikë flasin për një gjendje të vështirë. Borxhi i jashtëm, është tejet i lartë, borxhi i brendshëm ka kaluar dhe caqet ligjore dhe vazhdon të rritet, bizneset ndër më të mëdha të vendit kanë probleme kyçe me likuiditetin dhe shumë sektorë të ekonomisë duken në rënie të lirë. Pra qeveria e re duket se me shumë gjasa do të ketë një situatë të vështirë financiare. Mendoni zoti Fuga se qeveria e re mund të rrezikohet nga “Efekti Papandreu” nisur nga kjo situatë?

Duhet mbajtur parasysh si një risk i mundshëm, të cilin do ta uroja të mos e kishim për fat. Por, kjo mund të bëhet vetëm duke bërë një ekspertizë, të ftohtë teknike të gjendjes së sotme ekonomike të Shqipërisë. Sepse gjatë fushatës problemet ekonomike janë trajtuar në mënyrë të politizuar dhe me premtime që nuk janë në përputhje me atë që duhet bërë realisht. Personalisht nuk jam ekonomist. Por, duke njohur gravitetin e situatës, ndërgjegjja qytetare më ka çuar në kërkim dhe  pohoj se jam i zhytur në kërkimet shkencore të novelistit amerikan Joseph Stiglitz, analizat e të cilit janë shumë të qarta dhe mund të na vlejnë. Modeli i parë i ekonomisë shqiptare ka qenë, ne importojmë mallra dhe eksportojmë fuqi punëtore, pra emigrantë të cilët na sjellin të ardhura për të jetuar. Ky model që na ndihmoi në vitet e para, është shterur për arsye që dihen. Së dyti, mbas rënies së komunizmit, një pjesë e popullsisë shqiptare e konsiderojnë papunësinë si shprehje e lirisë politike, sepse i kishin shpëtuar punës së detyruar. Edhe ky model ra, sepse erdhi një brez 20-30 vjeçarësh që nuk e kanë njohur punën e detyruar dhe papunësinë e konsiderojnë si mungesë të lirisë politike. Së treti, modeli tjetër ishte ai i qarkullimit të trafiqeve, shpesh herë ilegale dhe i investimeve në zonat urbane apo në sektorë të tjerë të ekonomisë, që sillnin punësim dhe përmirësim të treguesve të rritjes ekonomike, por sa më shumë presioni për një ekonomi legale bëhet i fortë, aq më shumë ekonomia e mbështetur në këtë model bie në krizë. Edhe ky model ra. Sipas Stiglitz-it, globalizimi ekonomik, mbart energji të pashtershme zhvillimi, por nëse një komb nuk ka guximin dhe fuqinë për tu matur në arenën ndërkombëtare, ai bie në katastrofë ekonomike, sepse konkurrohet në një botë pa barriera doganore dhe ku më i forti, e kalon dhe shpesh dhe e shtyp më të dobëtin. Mos harrojmë se jemi në kushtet e një krize tepër të rëndë financiare ndërkombëtare. Në të gjithë shtetet, duke përfshirë dhe SHBA-në, shumë buxhete publike u vunë në shërbim të shëndoshjes së gjendjes së bankave dhe të korporatave kryesore. Tek ne, kjo u shfaq si një përpjekje e shtetit për të investuar në rrugë, sepse ndër të tjera, kapitali shqiptar nuk dinte se ku të investonte. Kjo solli kapitale gjigante të ngurtësuara, por që nuk krijonin hapësira punësimi. Kështu shpjegohet paradoksi që Shqipëria ruan rritje të larta ekonomike dhe nga ana tjetër shkaktonte papunësi. E fundit, ne duhet të kuptojmë se modeli i popullimit të zonave urbane, është kundër rentabilitetit ekonomik, sepse ka rrënjosur në mendjet e njerëzve, modelin e një shoqërie shërbimesh, kafene, taksistë, roje private, kamerierë, qendra interneti etj. Dhe askush nuk pranon të konsiderojë si promovim social, të kthehet në blegtorë, bujk, minator, punonjës guroreje etj. Në këto parametra unë pres se ç’përgjigje do të japë ekipi i ri qeveritar pa u sorollatur në iluzione, në trajtimet elektoraliste, që mbaruan bashkë me fushatën dhe në sfida të jashtëzakonshme për të ardhmen, që unë uroj t’i përballojnë.

Partia Demokratike është në opozitë tashmë. Ka nisur dhe një proces për zgjedhjen e pasuesit. Ju duket normale që këtë proces e mbikëqyr ish-kryetari?

Unë nuk e njoh situatën brenda Partisë Demokratike, por si qytetar pohoj, se sistemi politik shqiptar, sikurse çdo sistem politik, ka nevojë për një opozitë të fortë konstruktive institucionale, me ide dhe me mbështetje sociale. Përvoja më ka mësuar se për fat të keq, në historinë politike të Shqipërisë, të këtyre 100 viteve, qytetari është ndjerë më i lirë atëherë kur elitat politike kanë qenë ndarë në krahë opozitarë me fuqi të ekuilibruar me njëri-tjetrin. Gati-gati desha të them se qytetari shqiptar i këtij shekulli e ka përjetuar lirinë edhe në gjendje tensioni politik dhe kaosi social. Uroj që kjo gjë të jetë kapitull i mbyllur, ç’ka do të thotë se liria e qytetarit duhet të realizohet me institucione të forta, të demokratizuara. Si çdo qytetar unë e ndjek në distancë procesin e zgjedhjeve në PD. Është herët ende për të thënë diçka por nuk më duket se është çështje individësh që kandidojnë ndaj njëri-tjetrin, qytetarët presin, se çfarë idesh të reja do të paraqesin kandidatët.

Por ama, kjo parti sapo ka dalë nga një humbje e thellë zoti Fuga dhe pa realizuar asnjë lloj analize apo një “përballje me pasqyrën” kanë vendosur të kryejnë një proces rotacioni kryetari. Mendoni se në këto kushte mund të ketë ndonjë shpresë për “fabrika idesh” mes kandidatëve?

Keni të drejtë. Unë mendoj se një politikan, refleksionet i bën gjatë viteve dhe i ka në xhep për situata të mira e të vështira. Nuk mundet që një politikan të presë një konjukturë të pafavorshme për të nisur refleksionet. Unë e di që është e vështirë, por po shpreh mendimin tim si qytetar se do të doja të shikoja një garë idesh mes kandidatëve dhe jo një garë meritash në të kaluarën. Pyetja ime si qytetar është kjo: A do të ketë mundësi Partia Demokratike të përpunojë një platformë e cila të realizojë njëherësh 3 detyra që shpesh i bëjnë “luftë” njëra-tjetrës”: E para, të kapërcejë të gjithë ato kufij që pati qeverisja e saj dhe që sollën këto rezultate elektorale. E dyta, të rivalizojë me projektin demokratizues të partive të majta që tashmë janë në pushtet. E treta, të bëhet një forcë politike që t’i drejtohet qytetarit masiv dhe jo militantëve të partisë. Për shembull, unë shoh që në këto ditë të para, kandidatët u drejtohen më shumë militantëve se sa qytetarëve. Me një fjalë, atyre u duhet, një projekt emancipues dhe sipas meje, i dobëti dhe i munduri, i ka mundësitë të japë shpresë. 

Dominimi i PD-së nga zoti Berisha nuk është ndonjë risi zoti Fuga. Në kushtet kur modeli dhe grupi i bashkëpunëtorëve të ngushtë të udhëhequr prej tij, u refuzuan me një plebishit popullor në votime, ka ndonjë kuptim dhe ka më vend të flitet për garë, kur kandidatë garues janë staf i ngushtë i ish-kryetarit, ndërsa ish-kryetari ndërkohë po sillet si Patriarku i procesit ? Pra dua t’iu pyes, mos i kemi që tani të dhënat për një proces farsë?

Shumë i saktë shqetësimi juaj. Por unë arsyetoj për atë që mund të bëhet në të mirë të demokratizimit të vendit. Nga njëra anë, influencën mbizotëruese të zotit Berisha nuk mund të mohohet dhe mund të luajë një rol pozitiv që partia të hyjë në një garë nga fraksione politike brenda saj, pa u shpërbërë. Kjo përmban rrezikun që lidershipi i ri, të tkurret për të shpallur një platformë të re politike. Që nga njëra anë njeh anët pozitive të traditës së PD-së, por nga ana tjetër të shpalosin një projekt emancipues, i cili të jetë krejt i ri dhe kritik dhe i hapur, ndaj shterimit të energjive në shumë fusha. Është sigurisht një detyrë “sizifiane” që nga njëra anë të shpaloset një platformë e re politike, ndërkohë që “establishmentet” politike lokale, qendrore dhe deputetë të ndryshëm identifikohen me një të kaluar që kërkon një rinovim të guximshëm. 

Ka pasur debate të shumta këto ditë për mënyrën se si duhet lexuar rezultati. Aq sa, rritjen e LSI-së, disa kanë nisur ta kthejnë në teori konspirative të tipit “Operacioni i javës së fundit” apo duke e interpretuar si një aksion masiv të korruptimit të votuesit. Ju si e lexoni atë që ndodhi me LSI-në, e cila duhet thënë se ishte surpriza e këtij rezultati apo jo?

Unë nuk njoh aspektet konkrete dhe të padukshme, të mundshme, të fushatave elektorale. Por me sinqeritet pohoj se prej disa kohësh kam folur se nuk ka një por dy elektorate socialiste. Në një shkrim timin që mund ta konsultoni dhe në internet, kam analizuar disa karakteristika të elektoratit të LSI-së, si një elektorat me identitet të fortë dhe të qëndrueshëm. Së pari, një pjesë e këtij elektorati vjen nga e majta, pra nga shtresa të cilat në periudhën e shoqërisë socialiste ndonëse nuk përbënin elitat e kësaj shoqërie, ishin disi të integruara në të. Nga sa njoh, është një elektorat i cili vlerëson rrjetet e solidaritetit të grupit dhe ka një lloj ndrojtje ndaj një liberalizimi të jetës urbane. Për më shumë është një elektorat i vendosur në disa krahina apo hapësira periferiko-urbane, sikurse u them shpesh herë jashtë unazave të qendrave qytetare. Nuk mund të mohohen edhe afiniteti kulturore zakonore të natyrave të tjera.

Po bektashizmi mund të jetë element tjetër që bën solid elektoratin e kësaj partie zoti Fuga?

Nuk ka asnjë lidhje midis partive politike dhe besimeve fetare në Shqipëri. Dua të jem i qartë për këtë gjë. Po kështu, nuk ka në asnjë parti, influenca fetare në programet politike, sepse dhe partitë e shpallura dhe kristiane kanë në bazë të tyre jo shtetin etik por atë ligjor. Këtë e afirmoj, me kënaqësi madje sepse përbën vlerë për bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë, është një nga pasuritë e mëdha të Shqipërisë kjo vlerë. Por, kjo nuk do të thotë që disa tradita kulturore të rajoneve të ndryshme të mos shfaqen dhe në identitetet politike shqiptare. Dihet për shembull se elementi me tradita fetare të krishtera është më pak i pranishëm në partitë e djathta. Nuk ka nevojë për këtë të bëjmë historinë e perandorisë otomane ku tokat arë u akorduan popullsive myslimane dhe pronarët e tokave ishin më shumë nga kjo pjesë. Dihet për shembull që në Shqipëri, katolikët kanë qenë më të persekutuari në regjimin komunist. Afërmendsh, në partitë e majta do të kishte gjatë kësaj periudhe më pak përfaqësues në lidershipin e këtyre partive të majta. Sikurse dihet që LSI-ja ka pasur një përkrahje elektorale(mjafton të shohim hartën elektorale) në zona ku tradita fetare ka pasur një identitet të caktuar. Pra, është një elektorat i cili brenda vetes ka lidhje sociale solidariteti, statusi social, solidaritet krahinor, solidaritet kulturor, pritshmërie ekonomike, etj. Mjafton të kujtoj se dhe në ditë të vështira për LSI-në, ky elektorat nuk e ka tradhtuar atë, çka dëshmon për këtë stabilitet dhe për këtë taban mbështetës. Në kushtet kur dy partitë e mëdha rivale kishin elektorate periferike të paqëndrueshme, kuptohet se natyrshëm këto të fundit do të tërhiqeshin nga një elektorat i qëndrueshëm sikurse ai që përshkruam më lartë