Ardian Prrenjasi i rrëfen të vëllait në qeli: Nuk e kam vrarë Julian Çelën

92

prrenjasiPak ditë më parë në ambientet e izolimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ka ndodhur një ngjarje e cila vë në pikëpyetje dëshminë e Ardian Prrenjasit në lidhje me zhdukjen e 11-vjeçarit Julian Çela. “Manjaku” 45-vjeçar i arrestuar me akuzën për përdhunimin e një 10-vjeçari në Laprakë, i ka rrëfyer një të afërmi gjatë një takimi në qeli se “nuk e kam vrarë unë Julian Çelën, dhe nuk kam lidhje me zhdukjen e tij”.

Pohimi është bërë nga i arrestuari pak çaste pasi është përballur me të afërmin e tij në ambientin e izolimit. Gazeta “Panorama” e mësoi këtë informacion pak ditë pas takimit në qeli që Ardian Prrenjasi ka pasur me një të afërm të tij. Informacioni u dha nga burimet e grupit të hetimit, që janë të informuara në lidhje me çështjen. Sipas të dhënave që u bënë të ditura jozyrtarisht, personi që ishte takuar në qeli me Ardian Prrenjasin kishte qenë i vëllai i tij, B.Prrenjasi, i ardhur në Tiranë nga Përrenjasi për të takuar 45-vjeçarin e arrestuar.

Takimi mësohet se është lejuar sipas ligjit dhe rregullores dhe në ambientin ku ka ndodhur komunikimi mes dy vëllezërve, ka pasur një apo dy efektiva policie. Komunikimi mes Prrenjasit dhe vëllait të tij ka ndodhur në ambientet e izolimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.