AI: Të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe Kosovë për 2012

54

2012_report___french_large

Organizata Amnesty International nxorri raportin vjetor për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë që mbulon periudhën janar-dhjetor 2012.  Mes të tjerash, Amnesty shpreh shqetësimin për dhunën në familje dhe diskriminimin e disa grupeve në Shqipëri, si edhe për faktin që në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë marrë parasysh të drejtat e njeriut.

Mes problemeve kryesore që përmenden në pjesën për Shqipërinë janë tortura dhe keqtrajtimi në burgje, dhuna në familje, diskriminimi i pakicës rome dhe komunitetit homoseksual.  Zëvendës drejtorja e Programit për Evropën dhe Azinë Qendrore në këtë organizatë, Jezerca Tigani thotë nga Londra se organizata e saj vazhdon të ketë të njëjtat shqetësime për  të drejtat e njeriut në Shqipëri.

“Vazhdojnë të raportohen shumë incidente të dhunës në familje. Gjatë vitit të kaluar janë raportuar 2526 incidente të dhunës në familje, 345 më tepër sesa vitin e mëparshëm. Kjo do të thotë se dhuna në familje vazhdon të jetë një problematikë në Shqipëri”.

Një shqetësim tjetër i madh në raport është vazhdimi i diskriminimit të komunitetit rom.

“Ka pasur disa raste vitin e kaluar kur komuniteti rom është larguar me forcë nga tendat e tyre dhe u është dashur të gjejnë mënyra të tjera, apo të sajojnë strehime të tjera ku janë zhvendosur familjet e tyre dhe disa nga këto zhvendosje kanë ndodhur gjatë temperaturave të ulëta të dimrit dhe qeveria ka marrë shumë pak masa për të akomoduar në një farë mënyre këtë komunitet”.

Zonja Tigani përmend gjithashtu diskriminimin ndaj komunitetit gay në Shqipëri, një problematikë që thotë ajo nuk është shumë e njohur në Shqipëri, por që duhet trajtuar më shumë. Ajo thotë se

“Parada e parë për të drejtat e këtij grupi në Tiranë vitin e kaluar ishte një hap i rëndësishëm. Shpresojmë që këtë vit përsëri parada e Tiranës të zhvillohet”.

Në raportin e Amnesty International ngrihet shqetësimi për mungesën e kujdesit për të rinjtë jetimë që duan të strehohen dhe nuk kanë mundësi. Një çështje tjetër janë torturat dhe keqtrajtimet në burgje dhe stacione policie.

“Është një fatkeqësi që akoma raste të tilla torture dhe keqtrajtimi, akoma ndodhin në Shqipëri”.

Në raport, përmendet edhe rasti i ish komandantit të Gardës Ndrea Prendi dhe ish-oficerit të gardës Agim Llupo, të akuzuar për vrasjen e katër protestuesve në janar 2011. Për organizatën e të drejtave të njeriut kjo çështje nuk është e mbyllur megjithëse gjyqi përfundoi vitin e kaluar.

“Ne si organizatë akoma vazhdojmë të mendojmë se ky nuk duhet të jetë fundi i një incidenti të tillë. U vranë katër persona dhe nuk besojmë se gjyqi i majit jep drejtësinë e duhur”.

Një problem gjithëpërshirës në Shqipëri, sipas zonjës Tigani është se shoqëria e sheh veten ende si homogjene dhe për këtë arsye i sheh si të veçuara komunitetet rome dhe gay.

“Aty është roli i qeverisë shqiptare, për t’i pranuar dhe angazhuar këto komunitete që të flasin më hapur dhe që të kenë të drejtën e tyre të fjalës dje të shprehjes dhe të ndihen që janë pjesë e kësaj shoqërie shqiptare”.

Kosova: Shqetësim për mungesën e të drejtave të njeriut në marrëveshje 

Duke folur për Kosovën, zonja Tigani shpreh shqetësimin se marrëveshja me Serbinë nuk përmend të drejtat e njeriut.

“Nuk ka asnjë pikë në këtë marrëveshje që të përfshijë të drejtat e njeriut, apo të përfshijë disa pika kryesore të cilat gjithmonë kanë qenë dhe duhet të jenë në vëmendjen e Serbisë dhe Kosovës”.

Duke iu referuar edhe takimit të fundit mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes, Amnesty bën thirrje:

“Amnesty International u kërkon përsëri këtyre autoriteteve dhe komunitetit evropian t’i thërrasë këto autoritete përsëri në tryezë dhe të bisedojmë këtë plan veprimi, por të marrin parasysh pikat kyçe për respektimin e të drejtave të njeriut. Nuk mund të kemi një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë dhe të flasim vetëm për një kufi”.

Zonja Tigani thotë se për shembull as Serbia, dhe as Kosova nuk kanë marrë përgjegjësinë për shumë krime të luftës, në bazë të së drejtps ndërkombëtare që ajo thotë duhet të njihen dhe t’i kalojnë organit të caktuar të drejtësisë.

“Zhdukjet dhe grabitjet me forcë që janë kryer në Serbi dhe Kosovë, duhet të jenë një pikë, një pjesë e kësaj marrëveshjeje”.

Zonja Tigani thotë se këtë Amnesty International ia ka kërkuar edhe komunitetit evropian.

Nga shqetësimet e tjera për të drejtat e njeriut në Kosovë, zonja Tigani përmend ato për të drejtën e shprehjes dhe rastet e dhunëse ndaj gazetarëve. Ajo gjithashtu përmendi si shumë shqetësues rastin e sulmit fizik ndaj aktivistes së njohur Nazlie Bala, e cila është angazhuar me rastet e dhunës kundër grave gjatë luftës./VOA/