AKIP kërcënon me protesta, nëse qeveria përfshihet në operacion kundër armëve kimike

40

AKIPAleanca Kundër Importit të Plehrave, ka reaguar menjëherë pas deklaratës së zëvendës ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, sa i takon përfshirjes së Shqipërisë në një plan të dytë për pritjen dhe shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Kozara Kati, Lavdosh Ferruni dhe Blendi Kajsiu, kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër importit të armëve kimike siriane, duke paralajmëruar më tej nisjen e protestave nëse pranohet plani i ri i qeverisë “Rama”.

“Jemi njohur me deklaratën nëpërmjet mediave. Jo më larg se dy muaj më parë, shqiptarët u shprehën qartazi lidhur me demontimin dhe shkatërrimin e armëve dhe lëndëve kimike të Sirisë në vendin e tyre. Protestat masive në të gjithë vendin e detyruan qeverinë Rama të tërhiqet, me një argument shumë të fortë dhe të vërtetë: Shqipëria nuk i ka kapacitetet e duhur për t’u përfshirë në këtë operacion. Ky argument qëndron edhe për sot edhe për nesër”, ka deklaruar AKIP.

Sipas Aleancës Kundër Importit të Plehrave, Shqipëria duhet të ndihmohet për të ndërtuar një të ardhme të mirë dhe të sigurtë.

“Shqipëria ka nevojë të ndihmohet për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, të bazuar në një zhvillim të qëndrueshëm. Kam shumë besim se e ardhmja e Shqipërisë do të jetë ndryshe, e pastër dhe ekologjike. Ne sot kemi detyrimin legjitim që fëmijëve tanë të mos ua shkatërrojmë të ardhmen, përkundrazi, ta mbrojmë mjedisin e bukur që na e ka dhuruar natyra dhe ta kurojmë aty ku e kemi lejuar të dëmtohet”,deklaroi Kozara Kati ndërsa shprehu bindjen se të njëjtin qëndrim mban dhe qeveria shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Jam shume e bindur se ky është edhe qëndrimi i Qeverisë Shqiptare dhe e Partnerëve tanë ndërkombëtare”, tha Kati.