Ahmet Gjanaj, etaloni i integrimit të shqiptarëve në Belgjikë

52

Ka mbetur edhe plot një muaj e gjysmë nga zgjedhjet lokale të 14 tetorit në Belgjikë dhe motorët elektoralë janë ndezur në maksimumin e tyre. Ethet zgjedhore kanë përfshirë padyshim kandidatët e të gjithë komunave të Belgjikës, të cilët kanë nisur fushatën elektorale, gjithkush sipas mënyrës së vet. Pa dyshim që prej vitesh listave të kandidatëve, si edhe fituesve u janë shtuar edhe emrat e përfaqësuesve të komunitetit shqiptar. Kjo në komunat e 3 rajoneve të shtetit federal belg: në Bruksel, Valoni e Flandër.

Që nga dita e sotme, Albania Plus, si një nga zërat përfaqësues të shqiptarëve të Beneluksit, do të publikojë çdo ditë, portretin e njërit prej kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet e pushtetit lokal belg.

Sigurisht, që shkrimi i parë në këtë rubrikë i përket zotit Ahmet Gjanaj, deputeti i parë shqiptar i rajonit të Brukselit në historinë mbi 60 vjeçare të prezencës së shqiptarëve në Belgjikë. Ai është gjithashtu i zgjedhur 2 herë radhazi në komunën e tij Molenbeek si këshilltar komunal dhe në këto zgjedhje, garon për një mandat të tretë në listën e Partisë Socialiste frankofone dhe flamane belge. Mandati komunal është 6 vjeçar.

Aktualisht, PS-ja në Molenbeek, ndonëse forcë e parë politike nw zgjedhjet e fundit lokale në 2012-ën, është në opozitë për shkak të «tradhtisë» së një partie me peshë shumë të vogël, Qendra Demokratike Humaniste (CDH), e cila përkundër marrëveshjës parazgjedhore të nënshkruar me PS-në, vendosi që të lidhët në koalicion me Lëvizjen Reformatore (MR), duke rrëzuar ashtu kryetarin e shumë njohur, Philippe Moureaux. Kjo parti e fundit, MR-ja, nga frika se do të kantandisej në opozitë, i fali më shumë poste drejtuese CDH-së së vogël se çfarë i ofronte PS-ja në raport me peshën e saj reale.

Pas kapitullit disi të detyruar në opozitë dhe duke parë pakënaqësitë që ka shkaktuar koalicioni aktualisht në pushtet te një pjesë e madhe të banorëve të Molenbeek-ut, PS-ja ku kandidon Ahmet Gjanaj, ka shumë gjasa që të rrëmbejë drejtimin e komunës dhe sjellw në krye të saj, të bijën e kryetarit historik z.Philippe Moureaux, znj. Catherine Moureaux. Në këtë skenar, Gjanaj i pozicionuar në numrin 4 të listës, shihet si favoriti për të marrë postin e zëvendëskryetarit të komunës duke u bë shqiptari i parë zëvendëskryetar në një komunë belge.

Në paraqitjen e tij, 48-vjeçari Ahmet Gjanaj shkruan se ka lindur në Bruksel më 7 qershor 1968 ndërsa origjina e familjes së tij është nga fshati Bicaj i Kukësit. Zoti Gjanaj është i martuar dhe babai i 2 fëmijëve, ndërsa është diplomuar nga Fakulteti i Shkencave Ekonomike të Universitetit të Lirë të Brukselit. Tema e tij e diplomës, padyshim që do të ishte rreth Shqipërisë, atdheut të tij dhe pikërisht «Kalimi i Shqipërisë në ekonominë e tregut». Gjatë më tepër se 25 vjet, zoti Gjanaj ka pasur disa eksperienca punësimi ku ndër to spikatet ajo e analistit ekonomik në Zyrën rajonale të nxitjes së biznesit të vogël dhe të mesëm. Aty, ai ka ndihmuar në hapjen e mbi 1000 bizneseve të cilat kanë punësuar mbi 1500 veta, në një hark kohor 15 vjeçar.

Pikërisht, PS-ja është partia që i përgjigjet më shumë pritshmërive dhe nevojave të banorëve të rajonit të Brukselit thotë Gjanaj, në veçanti në komunën Molenbeek, një ndër komunave më të varfra të Belgjikës. Programi i PS-së në Molenbeek parashikon aktivizimin e të rinjve që janë pa punë me këshilla, kualifikimin dhe asistimin në kërkimin e një pune, hapjen e shkollave të reja dhe të çerdheve për të përballuar rritjen demografike që njeh kjo komunë, si dhe ngritjen e cilësisë së arsimit komunal, nxitja e ekonomisë lokale me këshilla, shoqërimin profesional dhe kërkimin e financimeve, rritjen e e ofertës sportive, shtimin e aktiviteteve për të rinjtë dhe në mënyrë të përgjithshme, një reduktim të çmimeve të shërbimeve të komunës për banorët e komunës.

Në karrierën e tij politike 20 vjeçare, Gjanaj ka garuar në disa palë zgjedhjesh që faktorizuan politikisht më në fund, komunitetin shqiptar të Belgjikës. Origjina e tij dhe fryma atdhetare me të cilën është rritur e kanë angazhuar në maksimum me diasporën Shqiptare. Ahmet Gjanaj është Kryetar i Shoqatës Albabel, i shkollës shqipe dhe i grupit të valleve Vatra si dhe i Qendrës kulturore me të njëjtin emër. Gjithashtu Gjanaj është kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Beneluks.

Në zgjedhjet e 14 tetorit Ahmet Gjanaj ka sjell një risi për komunitetin shqiptar. Me pozicionin e tij në PS dhe njohjet e tij, Gjanaj ka arritur që të çojë në kandidimin e një sërë të rinjve shqiptarë në disa komuna të rajonit të Brukselit.
Kjo strategji ka për qëllim thotë Ahmet Gjanaj, që të faktorizojë dhe më thellësisht komunitetin shqiptar në këto komuna dhe të rritë mundësitë dhe avantazhet e ndryshme për shqiptarët në ato komuna por përgjithësisht për të gjithë shqiptarët në modelin e arritjeve që ka sjellë vetë Gjanaj që prej zgjedhjes së tij si këshilltar në Molenbeek e pastaj si deputet. Ai kujton se falë mbështetjes politike e fituar me marrjen e mandatit të këshilltarit në Molenbeek dhe më shumë akoma me marrjen e atij të deputetit të Brukselit, ai ka arritur që të hap shkollën shqipe, të ngrejë grupin folklorik dhe të përfaqësojë denjësisht komunitetin shqiptar në politikë e kulturë.

Prandaj, Ahmet Gjanaj, ka lançuar një apel në Facebook drejtuar komunitetit shqiptar të Belgjikës dhe në veçanti të Brukselit për të mbështetur jo vetëm kandidaturën e tij në Molenbeek por dhe kandidatët e tjerë shqiptarë të ekipit të tij që kandidojnë po nën siglën e PS-së në komunat Anderlecht (Vaile Shkodra dhe Luiza Duraki), Bruksel (Qëndresa Gërlica), Ganshoren (Avni Gjanaj), Forest (Florin Kola), Jette (Behar Sinani), Koekelberg (Ornela Prifti) dhe Schaerbeek (Dafina Haziri). Ai do të mbështetë dhe kandidatët e tjerë shqiptarë të forcës së tij politike në Berchem (Megi Bala dhe Marsela Damzi), Forest (Florin Kola) dhe Saint-Josse (Muhamet Begaj).

Ai thekson se ka dhe kandidatë të tjerë shqiptarë në forcat e tjera politike që mund të jenë dhe të mirë por ata që ai mbështet kanë profile shumë të mira dhe do të kenë avantazhin e madh se do të punojnë ngushtësisht me të duke përfituar nga eksperienca e tij dhe rrjetin e tij të të njohurve që të jenë dhe më efektivë për të gjithë banorët e atyre komunave por në veçanti për komunitetin shqiptar.