FRD: zhvillimet në Kuvendin Kombëtar

66

262371_583340811698736_1990166767_nSot Fryma e Re Demokratike zhvilloi punimet e Kuvendit të saj të parë Kombëtar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në ndryshim nga Kuvendet e partive të tjera FRD zgjodhi një formë organizimi bashkëkohore, duke ndërthurur pjesën politike me panelin programor të përfaqësuar nga grupe të ndryshme interesi, mbështetës të FRD-së. FRD bëhet gjithashtu partia e parë politike që prezanton publikisht dhe broshurë programin e plotë elektoral për zgjedhjet parlamentare të 23 qershori.

Fjalimi kryesor në Kuvend u mbajt nga kryetari i FRD-së Prof.Dr.Bamir Topi, përmes të cilit u paraqit program politik i FRD, ecuria një vjeçare, raportet e saj me forcat e tjera politike, u bë analiza e zhvillimeve politike parazgjedhore në vend dhe sfidat e kësaj partie për të ardhmen. Z.Topi tha se FRD rezultoi një nismë e suksesshme politike, një projekt afatgjatë politike dhe pas zgjedhjeve do të jetë parti përcaktuese në të gjitha nivelet e vendimmarrjes politike .

Në pjesën e panelit politik foli edhe Sekretari i Përgjithshëm z.Gazmend Oketa, i cili evidentoi ecurinë organizative të FRD gjatë vitit të parë të aktivitetit, diferencën e saj me forcat e tjera politike si dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në votime dhe të shprehjes së votës qytetare me 23 qershor.

Më tej nën moderimin e znj.Edlira Gjoni, sekretare për marrëdhëniet me publikun në FRD, e morën fjalën dhe përshëndetën figura të njohura të jetës publike, përfaqësuesit më të njohur të grupeve sociale mbështetëse të FRD-së, të cilët së bashku plotësuan të gjithë mozaikun e problematikave sociale që mishëron programi politik i FRD.

Më tej Kuvendi vijoi punimet me diskutimin dhe miratimin e akteve zyrtare të FRD, ndryshimet në statut,miratimin e programit politik elektoral si dhe mandatimin e strukturave qendrore e lokale për fushatën elektorale të 23 qershorit vendime të cilat u bënë publike nga sekretari për çështjet zgjedhore Ervin Karamuça. Pjesë e risisë së Kuvendit ishte edhe shpallja si lajtmotiv elektoral i fushatës zgjedhore të FRD-së kënga e njohur “Rrjedh në këngë e ligjërime” realizuar nga tenori i talentuar Klodian Kacani.

Në Kuvend morën pjesë për të shprehur vlerësimin dhe mbështetjen për FRD edhe personalitete të shumta vendore dhe të huaja. Prania e politikanit të njohur Besnik Mustafaj, emrit të njohur të skenës Robert Ndrenika, etj, si dhe e ambasadorëve të vendeve kryesore perëndimore të pranishëm në Tiranë, përfshirë ambasadorin e SHBA, z.Aleksandër Arvizu ishin pjesë me rëndësi në pjesëmarrjen aktive të Kuvendit,- thuhet në njoftimin për shtyp të FRD-së.