Shpenzime nga taksat për të financuar shkrime denigruese kundër Edi Ramës

54

rama-obamaNga Besar Likmeta, BIRN

Podesta Group, një firmë lobimi që punonte për qeverinë e mëparshme në Shqipëri, ka futur disa lajme negative në mediat amerikane në lidhje me liderin socialist, Edi Rama, në prag të zgjedhjeve parlamentare

Qeveria e Sali Berishës ka shpenzuar paratë e taksapaguesve për një fushatë diskreditimi në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri, të drejtuar kundër kundërshtarit politik, Edi Rama, e luajtur në duart e republikanëve amerikanë dhe që çoi në thirrje për një hetim të FBI kundër presidentit amerikan, Barack Obama.

Dokumentet e siguruara nga Balkan Insight sipas FARA, Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, tregojnë se Podesta, e angazhuar nga qeveria e Berishës për më shumë se dy vjet, duket se qëndron pas tre shkrimeve negative kundër Ramës.

Podesta Group, e punësuar nga qeveria e Berishës për 60 mijë dollarë në muaj, konsiderohet një nga firmat më të fuqishme lobuese në Uashington.

Artikujt u publikuan në një faqe interneti konservatore në SHBA, të quajtur “Daily Caller”, mes 29 majit dhe 18 qershorit, përpara zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri, që u fituan bindshëm nga koalicioni i qendrës së majtë i Ramës.

Aleanca për Shqipërinë Europiane, e drejtuar nga socialistët, fitoi 84 vende në parlamentin me 140 deputetë, në total 57.7 përqind e votës kombëtare.

“Daily Caller” e akuzonte Ramën se kishte financuar në mënyrë të paligjshme Partinë Demokratike të Obamës, përmes një biznesmeni shqiptaro- amerikan, në mënyrë që të siguronte një mundësi për të bërë një foto me Obamën më 8 tetor 2012.

Akti Federal për Fushatat Zgjedhore, FEC, i ndalon shtetasit e huaj që të kontribuojnë ose të shpenzojnë para në zgjedhjet në SHBA, direkt ose indirekt.

Media pro- qeveritare dhe Partia Demokratike e Sali Berishës i riprodhuan lajmet e publikuara nga “Daily Caller” gjatë fushatës, duke pretenduar se FBI po hetonte Ramën.

Edhe pse fushata u mbyll me një letër nga një kongresmen republikan, që kërkonte hetim nga FBI dhe Komisioni Federal i Zgjedhjeve, FEC, asnjë prej këtyre pretendimeve nuk u provua, madje as nuk pati një hetim.

 

Shmangia e ligjeve amerikane

“Daily Caller” pretendonte se Rama ka shkelur kufizimet që u vihen të huajve për financimin e kandidatëve në zgjedhjet amerikane, duke bërë donacione përmes një biznesmeni nga Nju Xhersi, Bilal Shehu.

Ai pati bërë disa donacione të konsiderueshme për Komitetin Kombëtar Demokrat, DNC, dhe për fushatën e Obamës përpara se Rama të takohej me presidentin amerikan në vitin 2012.

Të dhënat e FEC tregojnë se Shehu dhe gruaja e tij, Aida, kanë kontribuar me rreth 80 mijë dollarë për Partinë Demokratike në SHBA mes 28 gushtit dhe 26 tetorit 2012.

Në shkrim tregohej se 38.300 dollarë kanë shkuar direkt për Shërbimet Korporative të DNC, fuqia fondmbledhëse pas Partisë Demokratike, ndërkoha që pjesa tjetër u shpërnda mes fondeve të fushatës së Obamës dhe kapitujve të ndryshëm shtetërorë.

Një foto që Shehu postoi në Facebook me Obamën, tregonte atë duke marrë pjesë në një mbledhje fondesh për fushatën e Obamës në San Françisko më 8 tetor 2012.

Një tjetër foto e hedhur në rrjet tregonte Shehun duke takuar Ramën në po atë ditë.

Shehu, pronar i “Eliot and Kleri LLC”, një shërbim limuzinash në Nju Xhersi, nuk iu përgjigj një kërkese të Balkan Insight për të komentuar.

Edhe pse kontributet e tij për fushatën e Obamës ishin domethënëse për një donator të vetëm, ato duken brenda mundësive financiare të Shehut.

Të dhënat e siguruara nga Bergen Country tregojnë se ai ka një shtëpi që e ka blerë në vitin 2010 për 922 mijë dollarë.

Edhe pse Rama e takoi presidentin Obama, ai ka mohuar që ka paguar për të siguruar një mundësi për foto, duke i quajtur akuzat si fyese.

“Edhe pse foto është realizuar gjatë një takimi në San Françisko, Edi Rama nuk ka marrë pjesë në ndonjë mbledhje fondesh,” tha Endri Fuga, zëdhënës i Ramës.

 

Podesta në veprim

Të dhënat e FARA tregojnë se ndërkohë që “Daily Caller” publikonte këto artikuj, Podesta kishte kontakte intensive me themeluesin e faqes, Tucker Carlson dhe me reporterin që i shkruante, Patrick Howley.

Podesta i telefonoi Carlson më 24 maj, ditën kur Rama postoi fotografinë me Obamën në Facebook.

Telefonata u pasua nga emaile me Carlson dhe Howley më 28 maj, kur faqja në internet publikoi artikullin e parë me akuza.

Më 6 qershor, kur Howley publikoi një shkrim pasues për këtë çështje, ai mori shtatë emaile të tjera nga Podesta.

Howley publikoi edhe një shkrim të tretë dhe të fundit për këtë çështje më 18 qershor, duke cituar kongresmenin republikan nga Kalifornia, Dana Rohrabacher, që i kishte dërguar një letër FBI dhe FEC, duke u kërkuar që të hetojnë Ramën si pjesë e një komploti për të shkelur ligjet elektorale amerikane.

Edhe pse Rohrabacher i bëri thirrje FEC të hetojë Ramën, ai kurrë nuk depozitoi një ankesë zyrtare, duke ngritur dyshime për vlefshmërinë e akuzave dhe konfliktin e interesit.

“Kam pyetur në lidhje me një ankesë nga Dana Rohrabacher kundër Bilal Shehut, por nuk mund të konfirmoj që ne kemi marrë një të tillë,” tha Julia Queen, një zëdhënëse e FEC.

Të dhënat e FARA tregojnë se përfaqësuesit e Podestës u takuan me Rohrabacher më 13 qershor, pasuar kjo nga emaile dhe telefonata me dy anëtarë të stafit një ditë më vonë.

Në vitin 2009, Rohrabacher mori një kontribut për fushatën nga PLM Group, tashmë e shpërbërë, që ishte një sipërmarrje mes Podesta dhe Livingston Group.

Në vitin 2012, ai mori një donacion prej 5 mijë dollarësh nga PAC, një komitet veprimtarie politike shqiptaro- amerikan, i drejtuar nga gruaja e ish- kongresmenit republikan, Joe DioGuardi.

Sipas Qendrës për Politika të Përgjegjshme me qendër në SHBA, Rohrabacher ka marrë 22.500 nga shqiptaro- amerikanët PAC nga viti 1998 deri në 2012.

Themeluesi i Ligës Civile Shqiptaro- Amerikane, DioGuardi kishte lidhje të ngushta me Berishën kur ai ishte president i Shqipërisë në vitet 1992- 1997.

PAC është krahu politik për mbledhjen e fondeve i Ligës Civile.

Një ditë përpara se të publikonte artikullin e fundit për Ramën, më 17 qershor, Howley mori një email final nga Podesta.

I pyetur nga Balkan Insight për kontaktet me firmën e lobimit, Howley refuzoi të komentonte.

I pyetur nëse kishin planifikuar një seri shkrimesh armiqësore ndaj Ramës në “Daily Caller”, John Anderson i Podestës refuzoi që të komentojë.

“Përveç asaj që është bërë publike në dokumentacionin në FARA dhe LD, nuk komentojmë për klientë specifikë,” tha ai në një deklaratë.

Të dhënat e FARA tregojnë se të gjitha partitë kryesore në Shqipëri kanë firma të njohura lobimi në SHBA, që angazhohen për mbulim mediatik.

Përveç Podesta Group ata kanë përdorur edhe Blue Star Strategies, Dutko International, BKSH& Associates dhe Rasky Baerlain Strategic Communications.

Firma që punon për Partinë Socialiste të Ramës, Rasky Baerlain, dërgoi me dhjetëra kërkesa në median ndërkombëtare në vitin 2010 në përpjekje për të organizuar intervista dhe për të promovuar mbulimin e krizës politike në Shqipëri.

Ndryshe nga firmat e tjera të paguara për të përfaqësuar partitë shqiptare, qeveria e mëparshme në Shqipëri paguante për shërbimet e Podestës duke përdorur paratë e taksapaguesve.