“Është e pavërtetë të pretendosh se jemi jashtë BE se jemi myslimanë. Jemi jashtë sepse jemi një vend i pareformuar”, shprehet Blushi.
“Shqipëria nuk ka kryer reformat e duhura në 20 vitet e fundit. Në përgjithësi ajo perceptohet si një vend ku krimi dhe korrupsioni janë aleatë dhe ushqim i klasës politike pa dallim. Ky është perceptim i përgjithshëm. Prandaj besoj se në vend që të fajësojmë Europën duhet ta kthejmë Shqipërinë në vend të gatshëm për t’u anëtarësuar. Sado që gjuha e disa grupeve anti-europiane brenda Bashkimit Europian është e hidhur dhe jo gjithmonë e merituar, nuk janë ato për Shqipërinë që kemi”, thotë më tej ai.
Blushi thotë se Europa i ka kapërcyer paragjykimet fetare me kohë.
“T’u thuash shqiptarëve se nuk po ju pranojmë në Europë sepse jeni myslimanë , kjo është e tepërt. Çdo ekstremist holandez apo danez mund ta thotë, por kushdo që e përsërit ia shton kompleksin popullit të vet. Europa kishtare nuk është Europa politike. Dhe Europa e ditëve tona nuk është Europa e kryqëzatave dhe inkuizicionit të Mesjetës, Europa i ka kapërcyer paragjykimet fetare me kohë dhe me prova, sepse pa europianët Bosnja myslimane do të ishte ende një thertore”, shprehet Blushi për gazetën “Panorama’’.
Deputeti socialist ka thumbuar Ramën lidhur me deklaratën që ky i fundit bëri pak ditë më parë në “Opinion” për mandatin si kryetar partie, i cili do të rikonfirmohet nga forumet.
“Mua nuk më habiti deklarata, por lehtësia me të cilën u bë. T’i thuash një partie se nuk do të bëjë zgjedhje, është si t’i thuash një njeriu se nuk duhet të marrë frymë se ka ca punë të tjera”, shprehet Blushi.