MB Shqipëria vend i sigurt, nuk mund të merret azil në BE

65

eu bordersMinistria e Brendshme bën të ditur se vendet e BE e konsiderojnë Shqipërinë vend të sigurt, çka e bën të pamundur marrjen e azilit për shtetasit shqiptarë. Në mënyrë të veçantë theksohet se  Franca e klasifikon Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta të origjinës së azilkërkuesve.

“Ministria e Punëve të Brendshme të Francës ka njoftuar se Zyra e Azilkërkuesve ka vendosur ta rikthejë Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta. Ky vendim është publikuar në Buletinin Zyrtar dhe ka efekte të menjëhershme. Vendimi i Autoriteteve franceze vjen pas vlerësimit të masave të marra nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit të Shqipërisë për të forcuar sigurinë e brendshme në vend dhe e bën pothuajse të pamundur fitimin e azilit nga shtetasit shqiptarë në Francë”- bëri të ditur MB.

Në njoftimin e shpërndarë nga MB thuhet se krahasuar me një vit më parë vihet re një rënie e numrit të azilkërkuesve. “Për të dy muajt Tetor – Nëntor së bashku janë regjistruar 54 persona, që kërkuan azil në Belgjikë, ndërkohë që vetëm në muajin shtator kishin kërkuar azil 47 persona. Gjatë muajit tetor 2013, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 1012 vërehet një rënie me 22% e numrit të azilkërkuesve në Belgjikë dhe Luksemburg. Ndërsa për muajin nëntor 2013, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2012 është konstatuar një rënie me 60% i numrit të azil-kërkuesve. Në Belgjikë, kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë, përfaqësojnë vetëm 3.1% të totalit të kërkesave nga të gjitha vendet e botës. Si rezultat i uljes së numrit të azilkërkuesve në muajt tetor-nëntor, autoritetet belge e kanë kaluar Shqipërinë në vendin e 8-të, (nga vendi 9 që ishte në shtator) në listën e hartuar prej Zyrës së Emigracionit, mbi bazën e kombësive të azil-kërkuesve në këtë vend. Numri i shtetasve shqiptarë që kanë kërkuar azil në këtë vend gjatë periudhës shtator-nëntor 2013 është 11 persona. Të dhënat konfirmohen nga Drejtoria e Imigracionit e Luksemburgut.”

“Krahasuar me vendet e tjera të origjinës së azil-kërkuesve, Shqipëria renditet në vendin e 4-t, pas Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Që prej fillimit të viti 2013 numri total i azilkërkuesve në Luksemburg është 61 shtetas, që përkon me 6.7% të totalit të kërkesave për azil të dorëzuara nga shtetas nga të gjitha vendet e botës në këtë vend”.

Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të mos udhëtojnë në vendet e BE me qëllim aplikimin për azil. Kjo jo vetëm është tërësisht e pamundur, por përbën dhe shkelje të rregullave për lëvizjen e lirë. Njëkohësisht, Policia e Shtetit po heton çdo veprimtari që synon organizimin e largimit për qëllime abuzive të qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të BE.