Sipas policisë në familjen Gjeka në Bulqizë kanë hyrë dy persona të maskuar dhe të armatosur të cilët kanë dhunuar anëtarët e familjes dhe kanë grabitur banesën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit në lagjen “Gjeologu”.
Dy grabitësit sipas rrëfimit të familjarëve kanë hyrë nga dritarja në dhomën e gjumit të banesës dhe kanë dhunuar një grua. Në momentin e grabitjes kryefamiljari Gëzim Gjeka ndodhej në emigracion. Ndërkohë fëmija 13-vjeçar i familjes rrëfen ngjarjen për News 24. Ai tregon se grabitësit kanë hyrë në dhomën e gjumit dhe i kanë hedhur sprait në sy bashkëshortes së Gezim Gjekës. I mituri tregon se është goditur me lopatë në kokë nga grabitësit.
“ Ata hynë nga dritarja te dhoma e gjumit të mamit pasi kanë kontrolluar aty për lekë hapën derën dhe erdhën te dhoma tjetër. Ne nuk i njohëm sepse ata kishin çorape në kokë dhe doreza. Ata i hodhëm mamit sprait në sy dhe e goditën, i doli edhe pak gjak. Donin të na qëronin edhe ne. Mua më ranë me lopatë apo levë nuk e di se çfarë ishte dhe më pas shkuan të qëllonin motrën por unë dola nga dritarja dhe ata nuk e prekën motrën.”- rrëfen 13-vjeçari F.Gjeka. Ai tregon se policia është njoftuar nga fqinjët. Në momentin e ngjarjes në banesë ndodheshin nëna dhe tre fëmijët më i madhi 13-vjeç. I mituri tregon se nuk e di se kush mund ta ketë kryer grabitjen pasi në lagje sipas tij ka shumë hajdutë.