Aktualisht fadromat dhe matrapikët e INUK-ut po shembin edhe pjesën tjetër, ndërsa janë marrë masa për bllokimin e qarkullimit rrugor në zonën e “Ujit të Ftohtë”.
Shembja e pallatit me tritol
Kompleksi “Jon” i ndërtuar në zonën e “Ujit të Ftohtë” është shembur dje, pjesërisht nga Inspektorati Urbanistik Kombëtar.
Për shembjen e ndërtesës 8-katëshe u përdor një sasi prej mbi 300 kilogramësh tritol, e cila u vendos në tre katet e para të ndërtesës. Nga shpërthimi i tritolit ndërtesa u shembu pjesërisht.
Shpërthimi ka qenë i fortë, por nuk janë raportuar dëme të tjera në zonën përreth. Dy pallatet e këtij kompleksi u rrëzuan në krahun e pishinës, pikërisht në krahun në të cilin ishte parashikuar dhe shembja.
Masa të forta sigurie u morën në të gjithë vijën bregdetare të plazhit të vjetër nga Skela deri tek Tuneli, ku u ndalua tërësisht qarkullimi i mjeteve për 8 orë rresht.
Kompleksi “Jon”, ishte në pronësi të Xhuvi Sharxhit dhe Xhafer Isufit, vjehrrit të Lulzim Bashës. Me vendim qeverie, banorët e këtij pallati janë shpronësuar, për shkak se plani rregullues i vijës bregdetare të Vlorës nuk parashikon ndërtimin e pallateve në këtë zonë.