Meta-Gigou: Statusi për Shqipërinë, kontribut pozitiv për gjithë rajonin

45

ilir_meta_elisabeth_gigou_parisKryetari i Kuvendit Ilir Meta u takua ne përfundim të vizitës së tij zyrtare ne Paris me Kryetaren e Komisionit te Jashtëm znj. Elisabeth Gigou dhe me Kryetaren e Komisionit te Çështjeve Evropiane znj. Danielle Auroi ne Asamblenë Kombëtare te Francës. Gjate takimeve u nda bindja për marrëdhëniet e shkëlqyera politike qe ekzistojnë midis Francës dhe Shqipërisë dhe u shpreh vullneti i përbashkët për intensifikimin e shkëmbimeve ndër-parlamentare.

Kryetari i Kuvendit  Meta u shpreh se Shqipëria po kalon momente pozitive pas zgjedhjeve demokratike të qershorit, duke evidentuar përmirësimin e klimës se bashkëpunimit politik mes palëve, konsensusin e klasës politike për axhenden evropiane te vendit  dhe përfshirjen aktive të opozitës.

“Progresi i dukshëm i Shqipërisë, është reflektuar edhe ne Progres Raportin e fundit te Komisionit Evropian, i cili ka rekomanduar miratimin e statusit te vendit kandidat per Shqiperine”.
Kryetarja e Komisionit te Jashtëm znj. Elisabeth Gigou u shpreh se marrëdhëniet mes Francës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera dhe se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm, duke theksuar njëkohësisht se vendet anetare i marrin nen konsiderate rekomandimet e Komisionit Evropian. Ne këtë drejtim, znj. Gigou u shpreh se Franca i kushton vëmendje te veçantë përparimit të Shqipërisë në fushat e të drejtave të njeriut, forcimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si pika kyçe në përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Evropiane znj. Danielle Auroi, u shpreh se Franca e vlerëson largimin e Shqipërisë nga konfliktet politike te se kaluarës dhe krijimin e nje klime te re reformash dhe stabiliteti politik ne Parlament. Znj. Auroi shprehu mbështetjen e Francës për Dialogun e Nivelit te Larte mes Komisionit Evropian dhe Qeverise se Shqipërisë, duke nënvizuar se përmbushja e rekomandimeve te Komisionit, do te jete përcaktuese për fazat e ardhshme te procesit te integrimit evropian te Shqipërisë.

Gjate te dy takimeve, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u shpreh se statusi i vendit kandidat për Shqipërinë do te jete nje kontribut pozitiv për te gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe ne këtë drejtim, Shqipëria e çmon shume përkrahjen e Francës dhe veçanërisht vëmendjen e Komisionit te Jashtëm dhe Komisionit te Çështjeve Evropiane ne Asamblenë Kombëtare, ne mbështetje te aspiratave evropiane te Shqipërisë dhe rajonit.