“Më lejoni të flas fare shkurt mbi raportin e progresit që do të miratojë Komisioni këtë vit. Këtë vit raporti do të përqendrohet në 4 pika: E para, do të jetë mbi faktin që Kroacia bëhet shteti anëtar i njëzetetetë; do të jetë mbi pushtetin transformues të zgjerimit, jo më kot e kemi marrë Çmimin Nobel për Paqen.
E dyta, do të jetë mbi faktin se zgjerimi vazhdon pavarësisht krizës financiare, por vazhdon jo pse është me autopilot, por sepse është një politikë e besueshme, një politikë që shoqëron një politikë tjetër të rëndësishme të Bashkimit Evropian, thellimin e integrimit.
Pika e tretë: Këtë vit raporti i progresit do të ketë një moto të re: Në fillim parimet. Cilat janë parimet? Shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit, por edhe çështjet ekonomike dhe konkurrenca; ne duam që vendet kandidate që do t’i bashkohen BE-së të jenë gati edhe në terma ekonomike. Dhe pika e fundit, që do të jetë një pikë që është nënvizuar edhe vitin e kaluar, është që Komisioni Evropian mbetet miku dhe mbështetësi më i mirë i vendeve kandidate dhe aspiruese në udhën e tyre shumë të rëndësishme, për t’u bërë anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Evropian”,- ka deklaruar Fyle.
Pas miratimit nga Komisioni Evropian, Fyle do të flasë para Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, në orën 12:30 dhe do te zhvilloje një konferencë për shtyp ne Komisionin Evropian në orën 14:30.
Konferenca e shtypit do të transmetohet drejtpërsëdrejti sot, në orën 14:30, në mjediset e Qendrës se Informacionit te Bashkimit Evropian ne Tirane.