Rama: Kam kaluar orë të vështira me Arvizun

48

edi rama vlKryemistri, Edi Rama në takimin e mbajtur me ambasadorët e akredituar në Tiranë, ka kujtuar momentet e vështira që ka kaluar me një prej ambasadorëve më të rëndësishëm që ndodhet në Shqipëri.

“Kemi kaluar edhe orë të vështira”, tha Rama duke folur për ambasadorin amerikanë në Tiranë, Aleksandër Arvizu dhe duke iu referuar ngjarjeve të 21 janarit 2011-të.

Orët e vështira Rama-Arvizu

“Në ditët e fundit të mandatit të ambasadorit Arvizu në vendin tonë gjej mundësinë ta përshëndes posaçërisht me respekt dhe më shumë mirënjohje si qytetar dhe tashmë si Kryeministër i vendit. Dua ta falënderoj për gjithçka bëri me ndershmëri intelektuale përveçse me përkushtim miqësor dhe profesionalizëm për Shqipërinë dhe shqiptarët që nga dita e parë e mandatit të tij. Por, dua ta falënderoj edhe jo vetëm për shumë ditët e mira që kemi kaluar bashkë por edhe për orët e vështira mes nesh, ku nuk mi ka fshehur mendimet e tij të ndryshme nga të mijat. Jam i bindur se në orë të atilla miqësitë e vërteta marrin formën e qëndrueshme për gjithë jetën”, tha Rama.

“Kam pas lexuar dikur në kujtimet e një diplomati në fillim të viteve 90’, gëzimin e tij kur shpëtoi për pak vetveten prej së rënë në një nga ato netët e dimrit pa drita në gropën e lënë pas nga shtatorja e rrëzuar e Stalinit këtu në kryeqytet. Ai shkruante se përveç thumbave të kolegëve, ajo rënie në gropën e Stalinit do t’i kishte kushtuar në gazetat vendase dhe një shkrim me titullin: Diplomati i huaj në kërkim të së kaluarës në vendin e shqiponjave.

Me siguri gjithkush që ka kaluar këtyre anëve ka anekdotën e vet për t’u mbajtur mend. Jam i bindur se edhe ju keni anekdotën tuaj për t’u mbajtur mend edhe pse shtatorja e Stalinit duket sikur nuk ka ekzistuar kurrë buzë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Por me siguri gjithkush nga ju është edhe dëshmitari më i besueshëm që Shqipëria është një vend që vlen jo vetëm të vizitohet por edhe të jetohet.”