PD: Rama i njeh mirë teknikat e vjedhjes

53

OERD-BYLYKBASHI1Partia Demokratike ka bërë sot një deklaratë për shtyp ku e akuzon kreun e qeverise Edi Rama për vjedhje. PD thekson se Rama e njeh shumë mirë teknikën e vjedhjes dhe si zakonisht i ka drejtuar disa pyetje për të cilat kërkon përgjigje publikisht.

Deklarata e plotë

Edi Rama, sapo hyri në Kryeministri, nisi punën duke rrëzuar  mure, suva, hoqi parkete, tapete, stema dhe flamuj, duke mos kursyer këtu dhe flamurin e  Maqedonisë që kishte në zyrën ku priti Presidentin e këtij vendi pak ditë më parë. Me pasion të madh fotografoi vetë grumbujt e këtyre hedhurinave dhe  fotot e tyre ia paraqiti qytetarëve si dëshmi e gjendjes dramatike në të cilën “armiqtë” i dorëzuan Kryeministrinë.

Por natyrisht, përveç kësaj, Rama që e njeh mirë teknikën e vjedhjes me fasada dhe mobilime, qëllim tjetër madhor ka edhe mbushjen e xhepave me punimet pa prokurime brenda dhe jashtë ndërtesës së Kryeministrisë. Disa dosje të tij janë dërguar në prokurori kur ishte Ministër Kulture dhe Kryetar Bashkie. I kapur në flagrance me këto abuzime, Rama  vrapoi të justifikojë punimet dhe shpenzimet e luksit që po bën në Kryeministri, duke thënë se nuk janë para’ të taksapaguesve, por punë me kontribut vullnetar.

Ligjërisht ky është dhurim. Edi Rama ka qenë Kryetar Bashkie, por nuk e mësoi kurrë, se ligji është baza dhe kufiri i veprimit të Administratës Publike, përfshirë Kryeministrin. Ky është problemi ynë i madh sot: Një Kryeministër antiligj, ka marrë në dorë shtetin.

Po i bëjmë disa pyetje dhe i kërkojmë të japë përgjigje me fjalë dhe jo me foto:

1- Cili akt i Kryeministrit si titullar institucioni ka autorizuar kryerjen e punimeve, blerjen e mallrave dhe shërbimeve? Me cilin akt janë nxjerrë jashtë përdorimit sendet e Kryeministrisë që po zëvendësohen? Për këtë ka proçedurë. Vetëm pas kësaj mund të fillojnë proçedurat e mëtejshme.

2- Nëse është dhurim, a ka një propozim për dhurim? Nga kush është bërë, ku dhe kur është protokolluar? Një dhurim duhet pranuar me akt-marrëveshje. Kur është bërë ky akt? A janë përcaktuar në të gjitha specifikimet e mallrave dhe shërbimeve që po i dhurohen?

3- Deklaroi se me kangjellat e hequra, do rrethohet Butrinti? Cilës firmë, me cilin akt dhe me çfarë procedure ia ka dhuruar kangjellat e Kryeministrisë?

4- Firma që ofron dhurimin, duhet të lëshojë faturë me TVSH e t’ia dorëzojë Kryeministrisë që të përcaktohet vlera e sendeve dhe shërbimeve që merren në dorëzim si dhuratë. Mbi bazën e kësaj fature, ajo duhet të paguajë çdo tatim sipas ligjit, pavarësisht se po e dhuron punën, shërbimin apo mallin. E ka bërë këtë firma dhuruese?

5- E fundit, parandalimi i konfliktit të interesit. Për këtë ka ligj. Ta zëmë se Edi Rama nuk e ka për hall të vetë, por që të duket bukur si Kryeministër. Transparenca për donatorët është e padiskutueshme, që më pas, të dinë qytetarët a po marrin ndonjë tender apo konçension këta donatorë? Sepse nese po, a ka ushtruar Kryeministri influencë të paligjshme për t’i shlyer atyre borxhin moral apo politik? Nëse i jep këto favore, kjo nuk është me donacion por konflikt interesi, favorizim në tendera e shkelje të tjera të ligjeve edhe atij penal.

Siç e shihni, Edi Rama ose nuk ka haber nga shteti i së drejtës, ose nuk do t’ia dijë për shtetin e së drejtës. Standardi i Ramës është “ligjet e shtetit nuk ekzistojnë”. Para pak ditësh deklaroi  se e ka zgjedhur pa tender një kompani për të asistuar doganat dhe tatimet. Mesa duket, KLSH-ja do të ketë pune me gjithë këto shkelje vullnetare. Duke gjykuar çka bërë në 15 vjet në politikë, 12 vjet në Bashki, 8 vjet ne opozitë dhe në një javë në qeveri, ka më shumë gjasa që Edi Rama nuk do t’ia dijë për Kushtetutën, parimet e shtetit të së drejtës, dhe ligjin.

Çdo gjë që i del si pengesë vrullit të tij revolucionar për “Rilindje”, Edi Rama i shkallmon si murin edhe kangjellat e Kryeministrisë. Pyetja e Heminguejt se “Për kë bien këmbanat?”, për fat të keq ka vetëm një përgjigje: Këmbanat po bien për LIGJIN