Rama: Do të jem Kryeministri juaj, por edhe Kryeshërbëtori juaj

108

rama (1)Lideri socialist Rama mbajti fjalimin e tij të parë të fitores, duke deklaruar përunjësisht përpara publikut shqiptar, se ai do të jetë Kryeministri i shqiptarëve dhe Kryeshërbëtori i tyre. Rama theksoi, se detyra do të jetë e tij ndërsa pushteti i popullit, duke e siguruar publikun shqiptar, se nuk do ta harroj këtë gjë, dhe duke iu lutur publikut, që edhe ai të mos e harrojë këtë fakt.

Më poshtë keni fjalën e plotë të Edi Ramës:

Sot, ju, populli i Shqipërisë, vendosët të ma ngarkoni mua dhe skuadrës sonë kombëtare të Rilindjes, së bashku dhe në mënyrë të pandarë me partnerët tanë strategjikë të LSI, këtë përgjegjësi kaq të madhe.

Ne e pranojmë përgjegjësinë me ndjenjën më të thellë të përuljes ndaj çdo njërit prej jush! Dhe për çdo ditë nga sot e tutje, ne do të jemi me ju dhe për ju deri kur kjo përgjegjësi madhore të jetë e jona.

Unë e di që siç thotë edhe Abraham Linkoln, asnjë qeveri në botë nuk mund t’i kënaqë të gjithë dhe për gjithë kohën, por për gjithë kohën që vjen nuk do harroj që jeni ju që na vutë në krye të vendit.

Ju na besuat sepse ne nxorëm më të mirën nga vetja për të arritur deri këtu, një projekt ndryshimi për Shqipërinë, një aleancë të re për Shqipërinë evropiane, e cila provoi botërisht se ne dimë ta vëmë vendin mbi veten dhe mbi partinë.

Unë e dua këtë vend, prandaj dhe luftova kaq fort për të luftuar. Zemra ime e di se çfarë mundësish të pafundme ka ky vend për të rilindur. Këto mundësi të pafundme, tani duhet t’i nxjerrim nga çdo thellësi e shpirtit e mendjes shqiptare për të bërë më të mirën me mundësinë që na u dha për të udhëhequr Shqipërinë.

Ne do të udhëheqim, por as unë, as ne të zgjedhurit për t’u drejtuar së bashku nuk e sjellim vetëm Rilindjen që premtuam. Ndaj dua që ju, njerëzit e këtij vendi, të bëheni pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes.

T’i ndajmë së bashku aspiratat, sfidat dhe përpjekjet për një ekonomi të rimëkëmbur përmes lirisë së konkurrencës dhe taksimit të ndershëm. Një shoqëri të rilindur me arsim e shëndetësi për të gjithë dhe jo sipas mundësive.

Pa harruar asnjë çast se sot populli sovran e ngjyrosi me ngjyrën e purpurt të gjithë hartën e Shqipërisë që nga Shkodra gjer në Vlorë, për të na dhënë mundësinë historike që ta provojmë me sjellje e me vepra se mund ta ndajmë përgjithmonë këtë vend nga ndasitë e vjetra të së shkuarës së deridjeshme.

Të nisim bashkarisht punën për t’i treguar njëri- tjetrit, por edhe botës, se kemi talentin, vlerat, vendosmërinë për t’u ngjitur në lartësinë e amanetit të borxhit që u kemi të parëve dhe fëmijëve të gjithë Shqipërisë.

Pa harruar asnjëherë se duhet të jetë liria dhe jo mungesa e saj, rruga për të qeverisur këtë vend, merita dhe jo mungesa e saj, baza për të vlerësuar çdo njeri e sipërmarrje në këtë vend.

Të vazhdojmë së bashku si një vend dhe si një komb përpjekjet drejt vendit që na takon në familjen e bashkuar të Europës, sot, kur si asnjëherë shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, jo vetëm e meritojnë, por e kanë në duart e tyre bashkimin në atë familje të madhe.

Ka qenë deri këtu një ëndërr e gjatë. Tani së bashku duhet ta bëjmë realitet, pa harruar në asnjë hap se duhet të jetë gjithëpërfshirja dhe jo përjashtimi i pakicës, shpirti i kompromisit, që mund të rilindë Shqipërinë si anëtare të denjë të familjes evropiane.

Miqtë e mi, nuk ka pikë dyshimi se duke parë flamujt e fitores të valëviten sonte nga Kukësi në Gjirokastër, duke dëgjuar brohoritjet e mbështetësve tanë anembanë vendit, duke parë që gëzimi ka pushtuar zemrën, mendjen e fytyrën e çdo opozitari, edhe unë ndjehem thellësisht i ngazëllyer si ju.

Por, ky gëzim i merituar nuk do të krijojë dot vende të reja pune për të rinjtë, as shërbime më të mira shëndetësore, as rrugë më të sigurta, kjo fitore nuk është mbërritja, por vetëm nisja.

Kjo fitore është era e ndryshimit që fryn lirisht në gjithë Shqipërinë, por tani nis puna për ta bërë ndryshimin që të mbërrijë në gjithë Shqipërinë e rrënuar.

Ky ndryshim, që të gjithë duam, s’do të vijë brenda natës, nuk do të mbërrijë as kollaj, sepse siç e kam parë në rrugën e jetës sime, asgjë e mirë nuk vjen kollaj, duhet të duash ta arrish, por duhet të punosh dhe sakrifikosh fort për ta arritur.

Të gjithë bashkë treguam deri këtu se duam fort që Rilindja të ndodhë, tani të gjithë bashkë duhet të punojmë dhe sakrifikojmë fort që ta bëjmë atë të ndodhë.

Dhe ne do të punojmë fort së bashku, si një skuadër, si një skuadër e madhe, që fort ka fituar vetëm të drejtën për t’u vënë në provë, ndërsa nesër do nisë punën për të fituar provën.

Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në betejën politike, por ndodh edhe më shumë në demokraci të pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të një njeriu.

Unë sonte dua ta falënderoj për çdo gjë të mirë për të cilën historia do e vlerësojë me një objektivitet më të madh se unë dhe i uroj të gjithë të mirat në jetën private në vazhdim.

Dhe tani që zgjedhjet përfunduan, dua ta bëj shumë të qartë se vullneti im është që t’u shërbej me përkushtim të gjithë shqiptarëve, jo vetëm atyre që votuan për fituesin.

Votën plebishitare që morëm në këto zgjedhje unë nuk e konsideroj si triumfin e palës sonë dhe aq më pak si triumf personal, përkundrazi, shumica marramendëse që na dhanë shqiptarët më bën edhe më realist për sfidën që duhet të fitojmë përmes qeverisjes sonë.

Pjesë e kësaj sfide është që asnjë zgjedhës i palës tjetër të mos ndjehet keq, asnjë rrogëtar që i shërben këtij shteti falë meritës së tij, të mos ndjehet i kërcënuar, asnjë burim mediatik që ka mbështetur alternativën e kundërshtarit të mos ndjehet i rrezikuar.

Të gjithë meritojnë respektin tonë dhe të gjithëve do u provojmë se ndryshimi s’ka ardhur për t’i bërë keq askujt që nuk ka bërë keq duke shkelur ligjet e këtij vendi.

Motra dhe vëllezër,

Ky është momenti më krenar i jetës sime.

Por, midis krenarisë që ndjej për veten dhe përunjësisë që ndjej për besimin që keni tek unë, fiton thellë përunjësia.

Unë do të jem kryeministri juaj, por edhe kryeshërbëtori juaj.

Detyra do jetë imja, pushteti do jetë i juaj.

Unë s’do ta harroj këtë, por ju lutem, mos e harroni as ju!

Jo për mua, por për të mirën e Shqipërisë, që duhet të rilindim së bashku.