Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inspektimin e punimeve të rrugës hyrëse dhe shëtitores së Velipojës. Ky projekt me vlerë 88.5 milion lekë është financuar nga BERZH- BEI dhe Qeveria Shqiptare. Projekti është 2.50 km dhe gjerësia e rrugës hyrëse është 12 m, me trotuare në çdo anë, gjerësia e shëtitores është 5 deri në 8 m dhe nga ky investim përfitojnë 8.718 banorë.
Nga Velipoja Kryeministri Berisha sulmoi kandidatët për deputetë te PS, Tom Doshin dhe Koço Kokedhimën duke i akuzuar për grabitje pronash dhe zonash turistike:
“Imagjinoni ju një moment. Që të lëshohet Velipoja në gojë të Tom Doshit, a e kuptoni ju sesi do ta shqyente ai me anturazhin e tij. Shkoni shikoni se ç’ka bërë Koço në Himarë. Një nga bizhutë e vërteta të detit Jon ka shkuar dhe ka ndërtuar dy lugetër, ia ka zënë detin të gjithë pjesës tjetër të Himarës, ju kujtoni se Toma është ma pak i uritur. Toma është i uritur sa Koço. Jua them këtë qytetarëve të Velipojës, se çdo votë në drejtimin tjetër shkon ne kundërshtim me interesat jetike të tyre”,- tha Berisha.


