Brefort: Serbia nuk do të përballet me një skenar Grek

57

loup_brefort_lu_brefor_0404

Zyrtari  i Bankës Botërore, përgjegjës për Serbinë Loup Berfort, ka folur mbi situatën ekonomike në Serbi. Deficiti i lartë buxhetor vlerësohet të jetë një nga problematikat e kësaj situate, që kërkon një zgjidhje të shpejtë. Shkurtimet buxhetore cilësohen si të nevojshme, si edhe rishikimi i sistemit të rrogave dhe pensioneve. Veprimet për konsolidimi fiskal të vitit të kaluar, janë vlerësuar si pozitive, nga Brefort.

“Serbia nuk do të përballet me një skenar krize si të Greqisë, por ajo nuk mund të mbijetojë me një deficit buxhetor kaq të lartë dhe huamarrje të vazhdueshme”,- ka thënë Loup Brefort, Menaxheri i Bankës Botërore, për Serbinë.

Në një intervistë për të përjavshmen Svedok, Brefort ka thënë se qeveria serbe duhet të zvogëlojë deficitin buxhetor të vendit me të paktën 1.5% të GDP-së, duke theksuar se masat e nevojshme duhet të merren sa më shpejt të jetë e mundur, pasi adoptimi i tyre në shtator dhe tetor mund të jetë shumë vonë për vendin. Ai ka deklaruar gjithashtu se, duke pasur parasysh se rrogat në sektorin publik dhe pensionet vlerësohen tek 52% e shpenzimeve buxhetore, nuk kuptohet, se si qeveria mund të zvogëlojë deficitin, nëse asgjë nuk bëhet në lidhje me rrogat dhe pensionet. Sipas Brefort, i përket qeverisë të vendosë se çfarë dëshiron.

“Shumë punonjës në Serbi, kanë lënë punën herët dhe iu është akorduar skemë e plotë pensioni, çka përbën diçka që asnjë sistem në botë nuk mund ta përballojë”,- tha zyrtari i Bankës Botërore.

Brefort sugjeron në lidhje me këtë problem, një zgjidhje ose nëpërmjet rritjes së viteve të punës, ose reformim dhe racionalizim të sistemit të pensionit. Ai ka pranuar se një pjesë e problemeve ekonomike që Serbia po përball në këto momente vjen edhe nga kriza në vendet e tjera evropiane, tregtia e të cilave me Serbinë, arrin në 70% të volumit të tregtisë së saj, nga ku vijnë edhe shumica e investimeve.

Zyrtari i Bankës Botërore, ka përshëndetur veprimet, që qeveria ka ndërmarrë në shtator dhe tetor të vitit të kaluar, në lidhje me konsolidimin fiskal, duke nënvizuar se ka lidhje të forta të lobistëve dhe burokratëve në Serbi që kundërshtojnë reformat duke mos dëshiruar një ndryshim aktual në sistemin ekonomik. /Tanjug/ Përgatiti it.ta/