Në një bashkëbisedim me gazetarët në qytetin bregdetar, Berisha sulmoi edhe biznesmenin Koço Kokëdhima, duke thënë se kandidimi i tij në Vlorë është problem për të majtën.
“Vlora e di mirë historinë e dajave të tij. Rama prezantoi në Vlorë fëmijërinë e tij dhe i ofendoi vlonjatët se janë të izoluar. Si janë të izoluar vlonjatët kur ata udhëtojnë në rrugë moderne. Ata që e ndjejnë veten të izoluar të mos e votojnë Sali Berishën. Mund të thuash që ka njerëz të varfër, por jo që janë të izoluar. Vlora nuk ka nevojë për kujtimet e Ramës apo të Berishës, ka nevojë për shkolla, rrugë, turizëm. Ramën këtu e solli Koçoja sepse ai është menaxheri dhe truri ekonomik i tij. Lidhjet e tyre me njëri tjetrin kanë kufi vetëm qiellin. A e patë ju mënyrën se si e paraqiti Koçon në konventë? Shpëtimi është lule nga çfarë është Koçoja” tha Berisha.
Kreu i qeverisë ka vlerësuar kontributin që ka dhënë Arben Malaj në Partinë Socialiste por u bëri thirrje demokratëve të mos japin asnjë votë për të.
“Arben Malaj ka qënë konstant në qëndrimet e tij për procesin e integrimit dhe ka bërë thirrje për miratimin e 3 ligjeve. Malaj u largua nga PS-ja sepse do integrimin evropian. Por Malaj nuk është një aleat, prandaj u bëj thirrje mbështetësve që të mos hedhin asnjë votë për të. Zero vota për Arben Malajn” tha Berisha.
Berisha premtoi se gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm do të krijohen 250 mijë vende pune.
“Asnjë zhvillim, asnjë rezultat sesa punësimi nuk është në një shoqëri. Ne do krijojmë 250 mijë vende pune dhe këtë e bazojmë në realitetin se kemi krijuar 200 mijë vende pune gjatë 4-vjeçarit që lamë pas” tha Berisha.
I pyetur në lidhje me akuzuat e PS-së për festimet e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri Berisha theksoi se Rama bëri një fushatë përçarëse të padenjë.