Lulëzim Basha, qytetar nderi i Prishtinës

68

Lulzim_Basha_mPropozim vendimi për shpalljen e z. Lulzim Basha, Kryetar i Bashkisë së Tiranës, Qytetar Nderi i Komunës së Prishtinës, është në axhendën e mbledhjes së sotme të Kuvendit të Komunës së Prishtinës – kryeqytetit të Kosovës.

Këtë e konfirmoi pak më parë për ATSH-në zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj.
Po ashtu, tha ai, më parë, në mbledhjen e gjashtë të Komitetit për Politikë dhe Financa u votua pro propozimit që kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, të shpallet Qytetar Nderi i Prishtinës. Ky vendim, kryetarit Basha do t’i prezantohet më 11 Qershor, kur për nder të Ditës së Prishtinës pritet të qëndrojë për një vizitë në Prishtinë.

Sipas zyrtarëve komunalë të Prishtinës, Kryebashkiaku Lulzim Basha ka reflektuar interesim të veçantë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
Nga zgjedhja e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, janë intensifikuar marrëdhëniet me Prishtinën dhe është rritur bashkëpunimi i ndërsjelltë, vlerëson Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti.

“Z. Basha ka reflektuar përkushtim dhe përkrahje të pareshtur gjatë procesit të Pavarësisë dhe ndërtimit demokratik të Kosovës, sidomos në periudhën e pasluftës, kur ai qëndroi dhe punoi një kohë të gjatë në Kosovë dhe në Prishtinë. Ka qenë dhe është përkrahës i integrimeve evropiane të Kosovës dhe i njohjes së saj nga shumë shtete në Evropë dhe në botë”, thonë zyrtarë të komunës së Prishtinës.
Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj, tha se “propozimi që Basha të shpallet Qytetar Nderi i Komunës së Prishtinës, është një gjest i respektimit të punës dhe vlerave të tij si Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe të një personaliteti, i cili në të gjitha pozitat politike që ushtroi dha kontribut të pakursyer për Kosovën dhe Prishtinën”./ballkanweb/