Berisha këmbëngul: Për 4 vjet heqim vizat me SHBA

66

May-15-14-47-385Pavarësisht se Ambasada Amerikane rrëzoi pretendimet e kryeministrit Sali Berisha për liberalizimin e vizave me SHBA, ai jo vetëm që nuk është tërhequr, por thotë se brenda katër viteve do e realizojë një gjë të tillë.

Duke vazhduar në delirin e premtimit elektoral, në mitingun e organizuar në Elbasan, Berisha tha se nuk ka premtuar diçka që nuk e meritojmë, por sipas tij, gjithçka do e arrijmë me punë derisa të hiqen vizat.

“Askujt nuk i kërkojmë atë që nuk meritojmë, por do plotësojmë çdo kusht, çdo kërkesë, siç plotësuam për Bashkimin Europian. Lëvizja jonë e lirë në hapësirat e vendit mik është një ëndërr që do realizohet gjatë katër viteve që vijnë”, tha Berisha.

“Kontrolloni pak grupin tuaj parlamentar se sa të refuzuar për vizat amerikane keni në atë vend,” akuzoi Berisha opozitën, duke sulmuar: “Ne do bëjmë çdo reformë, çdo përpjekje për të arritur këtë gjë. Ky është një motiv që gëzon çdo shqiptar. Alternativa tjetër është akuza e mashtrime”.

Ndërkohë, jo vetëm opozita, por edhe politikanë të qendrës dhe përfaqësues të organizmave të pavarur shqiptarë e të huaj reaguan shkurt duke ironizuar kryeministrin: Amerika prej kohësh ia ka hequr vizën Berishës.