Burime diplomatike i konfirmuan Zërit të Amerikës se në krye të misionit të ODIHR-it do të jetë zonja Conny McCormack. Ajo është angazhuar në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe në përmirësimin e legjislacionit zgjedhor amerikan si dhe ka qenë pjesë e ekipeve të vëzhguesve të zgjedhjeve në Armeni, Meksikë, Rusi, Jemen, Indonezi e Nigeri. Zonja McCormack, pritet të mbërrijë në Shqipëri se bashku me ekipin e vëzhguesve afatgjatë, më datë 13 maj.
Ashtu si dhe në vitin 2009, asambleja parlamentare e OSBE-së, e kryesuar aktualisht nga austriaku Volfgang Grossruck, ka aktivizuar sërish marrëveshjen me ODIHR-in për një mision të përbashkët monitorimi. Ekipi i asamblesë parlamentare do të drejtohet nga përfaqësuesi i saj special për Europën juglindore, Roberto Battelli, deputet slloven. Zoti Battelli ka një eksperiencë të gjerë në vëzhgimin e zgjedhjeve, ndërsa ka marrë pjesë në 19 misione monitorimi në shtete të ndryshme anëtare të OSBE-së. Ai ka qenë edhe koordinator i vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së në zgjedhjet në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni.
ODIHR-i ka kërkuar nga vendet anëtare të OSBE-së që të dërgojnë në Shqipëri 430 vëzhgues, por ende numri i saktë i atyre që do të përfshihen nuk është përcaktuar./VOA/