Të nderuar deputetë
Projektligji “Për disa ndryshime në Ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompesimin e pronës”, të ndryshuar vjen në funksion të “mbrojtjes dhe garantimit të së drejtës kushtetuese të pronësisë” sic shkruhet edhe në relacionin shpejgues të tij. Sipas Ligjit në fuqi procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave duhej të përfundonte në 30.4. 2014. Ky është një afat i shtyrë më parë në vitin 2012.
Aktualisht Kuvendi pohon një situatë aspak të qartë që trashëgohet në marrëdhëniet me pronësinë në Shqipëri. Me të drejtë përfaqësuesit e
Ministrisë së Drejtësisë dhe Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kërkuan shtyrjen e afatit edhe për të bërë një verifikim të amullisë së dosjeve të pronësisë dhe për tju përgjigjur shtimit të ndjeshëm të kërkesave për njohje dhe kthim prone bazuar në vendimet gjyqësore gjatë viteve 2013 dhe 2014.
Në Komisionin e Ligjeve ky projektligj u diskutua në datën 5 maj. Koincidenca ka të bëjë vec me realitetin e marrëdhënieve të pronës në Shqipëri e cila në 22 vitet e fundit ka një varrezë gjigande me mbi 8000 të vrarë. Ky fakt padyshim që ngjason me një bilanc lufte.
Debati për pronat ka nxitur gjithmonë një betejë false në Kuvend ku duket sikur një pjesë i mbron pronarët dhe një pjesë i shmang detyrimet karshi tyre.
Të jemi të sinqertë dhe ta themi hapur se deri më sot pak e kanë konsideruar seriozisht shtresën e pronarëve legjitim në Shqipëri apo sic i quajmë ndryshe me titullin “ish-pronarë”. Prapashtesa “ish” është pjesë e ripërkufizimit kulturor të pas viteve 90-ët që politika shqiptare e vendosi ndaj kësaj shtrese duke i bazvlerësuar atë me një kohë që ishte dhe nuk vjen më…
E vërteta e pranuar jopublikisht është se pronarët shqiptarë përfaqësojnë më shumë drejtësi legale por jo vota. Ky konkluzion i pragmatizmit politik e dënoi këtë shtresë shoqërore që në fillimet e pluralizmit partiak.
Dështimi në marrëdhëniet e pronës në Shqipëri lidhet padyshim në raportet e politikës me të. Sot diskutohet më shumë në se do tu jepet falas legalizimi i atyre që kanë zënë tokën e dikujt tjetër në mënyrë të paligjshme. Prona legjitime dhe e drejta e saj janë nënkuptuar si një cështje politike e humbur e cila nuk ka interes të vazhdojë të diskutohet si e rëndësisë së dorës së parë.
Mendoj se ky vendim i sotshëm është i rëndësishëm. Ai padyshim rrezikon të konsumojë të njëjtat qëndrime dhe akuza bajate të së djathtës politike se e majta nuk “përkrah” pronarët dhe të drejtat e tyre.
Në fakt, pyetja më therrëse, sot, qëndron se cili është raporti me pronën legale i së djathtës politike në Shqipëri. Ajo që konsiderohet e djathtë në Shqipëri prodhoi një “thes” me ndryshime në qeverisjen e saj për cështjen e pronës. Ligji 9235 “Për kthimin dhe kompesimin e pronës” është ndryshuar në 2005, në 2006, në 2007, në 2008, në 2009 me tre vendime të Gjykatës Kushtetuese në 2005, në 2007 dhe 2010. Kjo është vec nje pjesë e pamjes së paqartësisë dhe kaosit në të cilin është zhytur cështja e pronës në Shqipëri.
E drejta e pronës është pamja e së djathtës në Shqipëri. Ajo ndoqi kurbën e moralit të “legalizimit” si të djathtë të individëve të së majtës që ndruan partinë komuniste me pushtetin. Cështja e pronës u zëvendësua me ceshtjen e legalizimeve. Të drejtat e familjeve të pronarëve u shkëmbyen me votat e atyre që prisnin dokumentet e legalizimit të shtëpive në pronat e të djathtëve të papërfaqësuar.
Ndërsa në Shqipëri konsumohet debati qesharak i “grushtit” Gjykata e Strasburgut deri tani ka pranuar rreth 413 dosje të pronarëve shqiptarë. Për cështjet e fituara nga pronarët shqiptarë në Strasburg, shteti shqiptar duhet të paguajë një faturë që shkon në 37 milionë euro. Të tjera fatura pagese pritet të vijnë në vazhdim të cilat janë vetëm një pjesë e kostos së krijuar me të drejtën e pronës në vend.
Marrëdhënia me pronën në Shqipëri është një turp kombëtar. Trajtimi i të drejtës së pronës në Shqipëri është në kufijtë e një hajdutërie kolektive me cilësi të krimit të organizuar.
Të akuzosh të majtën si fajtore për këtë poshtërsi politike, juridike dhe njerëzore e cila ka ndodhur me pronën është gjëja më e thjeshtë.
Të nderuar kolegë
Nuk kam dalë në podium për të bërë ndonjë apologji me diskutimin e sotëm. Politika në marrëdhënie me pronën i ngjan një bande të cilës pasi ka vrarë dhe prerë i kërkohet të diskutojë në se duhet të kthejë apo jo rrobat e viktimave tek familjarët e tyre…. E di që shembulli është makabër dhe fyes. Por është një mënyrë për të shpejguar se si jemi sjellë me këtë shtresë që kërkon zbatimin e të drejtës kushtetuese për pronën në Shqipëri.
Sikur Shqipëria të kishte pasur një të djathtë me synime të qarta dhe pohuese ndaj shtresave të veta ajo do ta kishte humbur fillimisht pushtetin me vendimet e saj në favor të së drejtës së pronës. Por, kjo do të ndodhte vetëm në fillim…
Ajo që e quajti veten të djathtë në politikën shqiptare nuk donte koston e së vendosjes së të drejtës por parapëlqeu pushtetin. Ajo edhe sot pëlqen të guduliset me debate shterpë pasi ka humbur raportin me të vërtetën dhe historinë e vet. Përballë të drejtës së pronës e djathta shqiptare në qeverisje praktikoi metodat horizontale të së majtës dhe keqpërdori “të drejtën e shumicës” dhe “interesin publik” për të trajtuar problemet sociale të vendit në kurriz të së drejtës legale të pronës.
Sot nuk ka shumë për të diskutuar. E vërteta e vërtetë në Shqipëri është se përballë të drejtës së pronës nuk jemi të gjithë njëlloj. E drejta e shkruajtur në letër dhe ajo në praktikë janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Megjithëse larg publicitetit të merituar javë më parë qeveria shqiptare kaloi një vendim për të paguar familjen Delvina me mbi 2 milionë euro. Kjo vendim-marrje ishte rrjedhojë e një vendimi të Gjykatës së Strasburgut. Marrëdhënia legale me pronarët në Shqipëri po vjen nga jashtë vendit por ky akt i fundit i qeverisë shqiptare ka më shumë kuptim se sa debatet shterpë.
Për pronën aktualisht në Shqipëri nuk diskutohet më.
Në këtë kohë varfërie politike diskutohet deri pse në 5 maj në varrezat e dëshmorëve të Luftës ngrenë “grushtin” për të kujtuar simbolikisht shenjën e Luftës për clirim. Të majtët grushti i bën të ndihen të lidhur me rregjimin komunist sa mund të jenë ata që ngrenë dy gishtat “pasardhës” të Curcillit.
Sot në Shqipëri të qenit i djathtë është një titull i “legalizuar” dhe jo i trashëguar. Kjo është drama e vërtetë e “grushtit” ndaj pronës dhe në emër të saj. Të tjerat janë vec fjalë.
Ju faleminderit!