Zbulohet origjina e ikonave të Thimos

54

Ikonat-e-vjedhura-2Ekspertët kanë zbuluar origjinën e veprave ikonografike që iu sekuestruan muaj më parë koleksionistit Gjergji Thimo. Një raport i kryer nga 11 ekspertë nxjerr në dritë fakte tronditëse.

Në raport thuhet se këto ikona janë grabitur dhe i përkasin fondit tonë të trashëgimisë kulturore. Sipas raportit, veprat ikonografike i përkasin katër kishave shqiptare, përkatësisht Kishës së Shën Thanasit, në Voskopojë, Kishës së Shën Thanasit të Karavastasë, Kishës së Shën Marisë në Lushnjë dhe Kishës së Manastirit, në Spille. Përpos këtij fakti, ekspertët konstatojnë se 21 vepra të tjera ikonografike janë grabitur në kishat e Maqedonisë.

Kjo e fundit dërgoi edhe një grup ekspertësh pak muaj më parë, të cilët pretenduan të njëjtën gjë. Tashmë, pritet që shteti maqedonas të bëjë një kërkesë zyrtare për rikthimin e veprave ikonografike të vjedhura atje.

Më tej raporti saktëson se 22 vepra të këtij koleksioni, nuk janë pjesë e trashëgimisë kulturore, edhe pse disa prej tyre rezultojnë të vjetra dhe mbi 100 vjeçare , si edhe të certifikuara nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurisë Kulturore.

Pjesa tjetër, prej 454 veprash, janë pjesë e trashëgimisë kulturore, në pronësi të shteti shqiptar. Nga ekspertët konstatohet gjithashtu se 15 baldakinët e ikonografëve të shekullit XVI dhe XVII janë sharruar dhe gjymtuar në një mënyrë të pariparueshme. Ikonat e sipërpërmendura u sekuestruan në tetor të vitit 2013 gjatë një operacioni të policisë.

Ato u gjetën në banesat e koleksionistëve, Gjergji Thimos dhe Arben Spahos. Në banesat e dy koleksionistëve u gjendën 476 vepra arti. Gjergji Thimo dhe Arben Spaho u arrestuan nga policia në tetor të vitit 2013 për vjedhje të trashëgimisë kulturore.

Ndërkohë, proceset gjyqësore ndaj tyre janë ende në vazhdim. Ndërsa familja Thimo i kundërshton akuzat ndaj koleksionistit, Gjergji Thimos, duke pretenduar se veprat e artit nuk i ka vjedhur.