Meta-Makino:Forcim të marrëdhënieve ekonomike me Japoninë

61

ilirmetaKryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë një takimi me zv/ministrin e Jashtëm parlamentar të Japonisë, Takao Makino, i vlerësoi marrëdhëniet politike mes dy vendeve si shumë të mira dhe shprehu besim se vizita e zyrtarit japonez do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare dhe marrëdhënieve ekonomike.
Gjithashtu z. Meta shprehu mirënjohjen për asistencën e vyer japoneze, veçanërisht përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (JICA), duke vënë në dukje se Shqipëria e konsideron Japoninë si një partner shumë të rëndësishëm për zhvillimin e saj ekonomik.
Zv/ministri i Jashtëm, Makino tha se projektet e përbashkëta ekonomike të nisura me Shqipërinë i sheh si një bazë solide e intensifikimit të shkëmbimeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Zv/ministri japonez bëri një vlerësim të veçantë për rolin konstruktiv që Shqipëria luan në rajon, dhe shprehu mbështetjen e Japonisë përmes projekteve të ndryshme ekonomike në rajon, në funksion të forcimit të stabilitetit rajonal.
Kryetari Meta dhe Zv. Ministri Makiko diskutuan gjithashtu mbi rritjen e numrit të turistëve japonezë që vizitojnë Shqipërinë çdo vit dhe mbi intensifikimin e shkëmbimeve studentore, të cilat do të shërbejnë si ura të forta miqësie dhe bashkëpunimi mes dy popujve.
Në përfundim, z. Meta dhe z. Makino biseduan për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar përmes grupeve të miqësisë, dhe ndanë bindjen e përbashkët se intensifikimi i këtij bashkëpunimi, do t’i shërbejë rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Japonisë.