Korrespondenti i News 24 Enerik Mehmeti ka sqaruar se për shembjen e godinës është përdorur një sasi eksplozivi prej 280 kilogram. Ai bën me dije se shembja e godinës nuk ka shkaktuar asnjë problem apo dëmtim te bizneset e tjera përreth. Aktualisht mjetet e vendosuar nga grupet task-forcë po punojnë për të larguar mbetjet inerte që kanë rënë në rrugë dhe nga momenti në moment do të bëhet e mundur lëvizja e automjeteve në rrugët e bllokuara më parë nga policia.
Korrespondenti Mehmeti bën me dije se në vijimësi operacioni për shembjen e plotë të ndërtesës dhe pastrimin e mbetjeve të saj do të bëhet në mënyrë manuale. Për të inspenktuar situatën në vendngjarje ka shkuar edhe Prefekti i qytetit të Vlorës.
Mënyra e shembjes ka qenë e njëjtë me atë të godinës 5-katëshe tek Fakulteti i Ekonomikut në Tiranë, por në ndryshim nga aksioni në kryeqytet, ku ndërtesa nuk u rrëzua tërësisht, shpërthimi në Vlorë ka rezultuar i suksesshëm.
Prej disa ditësh forcat xheniere punuan për hapjen e mijëra vrimave në kolonat e objektit, në të cilat u vendos lënda eksplozive. Bashkia e Vlorës sqaroi se shembja e ndërtesës 7-katëshe do të bëhet për t’i hapur rrugë investimit në zgjerimin e rrugës Skelë-Uji i Ftohtë, si dhe shëtitores.
Ministria e Brendshme njoftoi dje se duke filluar nga ora 07:00 e deri në orën 16.00 të ditës së sotme, do të kishte regjim të kufizuar të qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve në rrugën “Çamëria” në qytetin e Vlorës dhe rrugët dytësore të lidhura me të. Gjithashtu, lokalet përreth zonës kanë qenë të mbyllura.