Vasili: Meta u informua aq sa duhej për armët kimike

46

petrit vasiliKryetari i grupit kuvendor të LSI-së, Petrit Vasili komentoi në “News 24”, vendimin e kryeministrit Edi Rama për mospërfshirjen e Shqipërisë në operacionin e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë, si dhe disa nga etapat që u ndoqën deri në këtë vendim.

I pyetur, nëse Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ishte i informuar për këtë çështje kaq sensitive, Vasili u shpreh se: “E para duhet të ndajmë që nuk kishte marrëveshje, kishte negociata si të mundësohet operacioni, në këtë raport ka qenë edhe Kryeministri Rama, gjithmonë në fillim shprehet gatishmëria. Në këtë çështje ka qenë korrekt kryeministri Rama që ka shprehur gatishmëri pozitive, ndaj të njëjtin mendim me të, deklarata e tij ishte unikale, rrallë është pritur kaq gjatë një përgjigje nga kryeministri në mënyrë të depolitizuar. Sigurisht, kryetari i Parlamentit Ilir Meta u informua për aq sa duhej të informohej, lidhur me një negociatë e cila është një trajtim rutinor në fillim, kjo pjesë rutinë konsumohet në këtë mënyrë, pastaj bisedohet më tej, ju e dini sa kohë zgjati vendimmarrja për gazësjellësin TAP”.

Në lidhje me etapat që u ndoqën deri në marrjen e vendimit, kreu i grupit kuvendor të LSI, Vasili theksoi se: “Vendimi i kryeministrit Edi Rama ishte racional dhe gjakftohtë, por kurrsesi i lehtë. U dëgjuan të gjitha argumentat, u vlerësuan mundësitë reale të Shqipërisë, por operacioni nuk mund të shkonte deri në fund. Por me këtë çështje duhet thënë që u evidentuan cilat janë mundësitë dhe shpatullat e Shqipërisë”.

Sa i përket efekteve të këtij vendimi në lidhje me marrëdhëniet e “nesërme” të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Petrit Vasili theksoi se: “Përtej deklaratës së ambasadorit Arvizu një ditë para marrjes së vendimit, kemi deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit pas marrjes së vendimit, çka u evitua çdo keqkuptim, mirënjohje pa fund ndaj SHBA-së, konfirmimi është se historia e marrëdhënieve tona është shumë e madhe, dora e Amerikës që këtu gjërat të jenë ndryshe është shumë e madhe, ato elemente të partneriteti strategjik janë reale”.

Sipas Vasilit, ky proçes pati shumë fitues, nuk pashë ku ishin të humburit, kryesisht qytetarët dhanë provën se kishin etikën e duhur për të qenë të rëndësishëm.