Urdhri i Berishës: Lironi zyrat e kryeministrisë deri më 31 gusht

45

Sali BerishaKryeministri Sali Berisha ka lëshuar një urdhër të brendshëm, përmes të cilit i kërkon stafit politik që deri në datën 31 gusht të lirojë zyrat për pasardhësit e majtë. Burime pranë kryeministrit bëjnë të ditur se z.Berisha para pak ditësh ka thirrur në zyrën e tij shefen e protokollit, Nadia Qesja, së cilët i ka kërkuar që t’ia përcjellë urdhrin të gjithë stafit politik.

Këtu bëjnë pjesë këshilltarët dhe drejtorët, të cilët në bazë të urdhërit duhet që deri në datën 31 gusht të lirojnë zyrtar e tyre dhe të përgatisin të gjithë dokumentacionin që do t’u lihet gati zyrtarëve të Partisë Socialiste dhe kryeministrit të ri, Edi Rama.

Një urdhër i tillë nënkupton në mënyrë të qartë dorëheqjen pa përjashtim të njerëzve politikë, të cilët kanë punuar me z.Berisha dhe në këtë rast urdhri nuk ka të bëjë me pjesën tjetër të administratës civile të Kryeministrisë. Nisur nga kjo, i gjithë stafi që i drejtohet urdhëri i brendshëm i z.Berisha ka nisur nga puna për mbledhjen e dokumentacionit dhe përgatitjen e dosjeve që do t’u lihen mbi tryezë pasardhësve të majtë.

Pavarësisht se z.Berisha herë pas here e ka cilësuar z.Edi Rama dhe stafin e tij si të paaftë dhe i rrethuar nga injorantë, vetë kryeministri ka vendosur që gjithçka t’ia lërë gati mbi tryezë pasardhësit. Madje, edhe në mbledhjen e djeshme të qeverisë ironizoi me paaftësinë e qeverisë së re të kryesuar nga Edi Rama. Kryeministri Berisha u shpreh krenar para ministrave të tij që gjatë mandatit të tyre arritën të parandalonin krizën.

“Të ftuarit panë para tyre ekipin më pa dije, më injorant. Vetë piktori njoftoi shqiptarët se për 3 muaj nuk do të ketë drita, kanë bërë gati skemën e prerjes së energjisë. Por unë njoftoj se këtë vit kemi lënë 300 mln kw/ orë më shumë se vitin e kaluar dhe këtë vit kemi më shumë energji. Ky nuk është Edi Rama, ky është Edi Drama. Problemi më i madh janë financat. Unë u them shqiptarëve me sinqeritetin, por dhe me vendosmërinë më të madhe, se sistemi doganor dhe tatimor i vendit, pavarësisht nga defektet dhe të metat që ka, ka merita shumë të mëdha në të gjithë arritjet e këtij vendi. Ka mbledhur 9,2 miliardë dollarë më shumë dhe kjo nuk arrihej kurrë pa luftuar informalitetin dhe pa një disiplinë fiskale. Këta që vijnë kanë ndërmend të mbushin arkat e tyre dhe të zbrazin arkën e publikut. Akti i dytë; paralajmëroi se do të zhysë shqiptarët në recension dhe ky është oguri më i zi. I bëj thirrje administratës të vijojë me konsekuencë punën në mënyrë që të ruhet stabiliteti ekonomik”, u shpreh kryeministri, teksa shtoi se të ftuarit e PS rrëzuan programin ekonomik të saj.