“Nga konstatimet e deritanishme ky ligj nuk është zbatuar dhe për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe për shkak të mosnjohjes nga njësitë e qeverisjes vendore”- deklaroi dje ministrja Gjermeni lidhur me ligjin “Për planifikimin e territorit”. Sipas saj, është bërë e domosdoshme ndërhyrja në ligj duke rishikuar në detaj çdo problem të hasur deri tani i cili ka çuar në krijimin e një kaosi të vërtetë me ndërtimet.
Moszbatueshmëria është shkaku i parë i ndërhyrjeve që ne parashikojmë si dhe konsistenca brenda ligjit për shkak të ndërhyrjeve që janë realizuar. Ndërhyrja jonë synon që ligji të bëhet më i zbatueshëm dhe të njihet nga të gjithë faktorët që merren me planifikimin territorit në Shqipëri. I gjithë procesi i rishikimit dhe i hartimit të draftit është brenda muajit dhjetor”, – deklaroi dje ministrja e ministrja Gjermeni.
Ajo shtoi se ky proces bëhet në përputhje me prioritetet dhe si pjesë integrale e programit të Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe kontrollin e territorit, por si edhe në përgjigje të nevojave të autoriteteve të planifikimit, zhvilluesve dhe qytetarëve për qartësimin e bazës ligjore të planifikimit. Plani i qeverisë së re për territorin parashikon në radhë të parë 3 moratoriume të rëndësishme për ndalimin e aktivitetit ndërtimor në Bregdet, në burime pyjore dhe sipërfaqe ujore e në të gjitha zonat me rëndësi për Turizmin. Gjithashtu do të krijohet baza e integruar e të dhënave për territorin.
Gjatë fazës së parë të procesit gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes do të ketë takime, diskutime dhe sugjerime ndërmjet aktorëve të përfshirë, do të qartësohen çështjet ligjore për të cilat kërkohet ndërhyrje dhe do të merren komentet përkatëse. Ndërsa në fazën e dytë, e cila parashikohet të zgjasë deri në qershor të vitit 2014, do të realizohet hartimi i ndryshimeve ligjore, në ligj dhe aktet nënligjore, si edhe do të miratohen ndryshimet e nevojshme për të pasur një kuadër të plotë dhe të zbatueshëm ligjor për planifikimin e territorit.
Në takimin e djeshëm ishin përfaqësues nga ministritë e linjës dhe nga Autoritetet Kombëtare të Planifikimit, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), Adelina Greca, si edhe përfaqësues të USAID-it, duke qenë se ky proces do të realizohet me mbështetjen e projektit për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore në Shqipëri. Takimet konsultuese parashikohet të vijojnë me Autoritetet Vendore të Planifikimit dhe me grupet e interesit, si zhvillues, profesionistë, pronarë, shoqëri civile, etj.
Pas viteve ‘90, ndryshimet politikoekonomike dhe sociale në vendin tonë u shoqëruan edhe në zhvillime të pakontrolluara të territorit dhe urbanizimit, si në zënien e hapësirave publike deri në ndërtime informale në periferi të qyteteve kryesore. Gjithashtu, dhënia e lejeve të ndërtimit pa kriter dhe studime urbanistike bëri që zhvillimi i territorit të ishte spontan, pasoja të cilat po ndjehen në shumë fusha të tjera.