Kryeparlamentarja nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook” thekson se në vend i madh si Amerika nuk e përfaqëson dot ‘një njeri i vockël’ si ambasadori Arvizu me miopi të theksuar historike e politike.
“Të dashur miq ! Një vend të madh nuk e përfaqëson dot një njeri i vockël! Për më tepër me miopi të theksuar historike e politike!!! Për të mos i thënë falsifikator i historisë!!!! Të krahasosh Shqipërinë e 1992 që këputi vargonjtë e “evil empire”, me Shqipërinë anëtare të NATO-s , është njësoj si të vesh shenjën e barazimit midis Brezhnjevit dhe Presidentit Reagan !!! I denjë për të punuar me Reis Malilen jo me Hillary Clinton e John Kerry. As ekstremistët më të mëdhenj të së majtës nuk kanë guxuar kurrë një gjë të tillë”, shkruan Topalli.
SHBA-të përmes ambasadorit të tyre në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i konsiderojnë zgjedhjet e sivjetme të 23 qershorit po aq të rëndësishme për Shqipërinë sa ato të vitit 1992. Ambasadori amerikan, Alexander Arvizu nga Jala e Vlorës foli dje për situatën paszgjedhore në Shqipëri. Ambasadori amerikan vuri në dukje se, “Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 ishin historike dhe po ashtu si ato të vitit 1992, ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi sollën ndryshimin”. Ai përmendi se këtë radhë, PS-ja punoi më fort e mori 90 mijë vota më shumë. I rëndësishëm për SHBA-të është konsolidimi i demokracisë.
Duke komentuar fushatën zgjedhore, Arvizu vuri në dukje gjithashtu se gjatë saj pati përpjekje që feja të kthehej në çështje elektorale, përpjekje për të krijuar ndarje veri-jug, por që të dyja këto përpjekje dështuan. Arvizu mori pjesë dje në aktivitetin e Lëvizjes Rinore për Integrim, duke filluar në Jalë dhe që do vazhdojë deri të shtunën, aktivitet i përvitshëm për politikën shqiptare, duke filluar nga zgjidhja e problemeve të rinisë. “Performanca juaj ishte impresionuese. Politika konstruktive është baza e suksesit. Përshëndesim përfshirjen e të rinjve dhe grave, të rinjtë janë e ardhmja e Shqipërisë”, theksoi z.Arvizu.