Thaçi: FSK do të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës

44

hashim thaciForca e Sigurisë së Kosovës do të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës, tha sot kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë, ku theksoi angazhimin për finalizimin e rishikimit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Kosovës që ndërlidhet drejtpërdrejtë me të ardhmen e FSK-së.
“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës është duke punuar dhe është në përmbyllje të gjithë këtij procesi, me zotimin se në të ardhmen shumë të afërt Forca e Sigurisë së Kosovës do të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës, si tërësi e forcave të armatosura të një vendi”, tha ai.
Kryeministri Thaçi  tha se gjithë ky proces do të kalojë axhendën qeveritare, pastaj Kuvendi i Republikës së Kosovës do të marrë vendimet përkatëse për ndryshimet kushtetuese.
“Do të vazhdohet me një bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë. Kosova në këtë periudhë kohore, pra në një të ardhme të afërt javore apo mujore, do të ketë forcat e veta të armatosura, me standarde dhe kritere plotësisht euroatlantike dhe do të lëvizet me hapin tjetër, atë të përfshirjes së Kosovës në partneritetin për paqe”,  u shpreh kryeministri Thaçi.
Në vazhdim ai theksoi se,  në kuadër të respektit për bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte porositur sot ministrin e Kulturës që të ndërmarrë hapat e duhur për ndërtimin e një memoriali për nder të dy pilotëve amerikanë, të rënë në krye të detyrës gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
“Sugjerova që, në shenjë mirënjohjeje, t’i nderojmë këta ushtarakë amerikanë, të forcave të NATO-s, në 15 vjetorin e lirisë së Kosovës, duke ndërtuar një obelisk në qytetin më të afërt të Kosovës, në vendin ku ata kanë rënë, pra në Prizren. Unë kam besim që edhe kjo çështje do të përmbyllet shpejt dhe do të kryhen të gjitha obligimet që merr ministria e Kulturës dhe komuna e Prizrenit”, tha kryeministri Thaçi.
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt miratoi Projektligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës dhe vendime të tjera.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë Thaçi konfirmoi se është proceduar për në Parlamentin e Kosovës Projektligji për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili përfshin të drejtat në benificione për veteranët luftëtarë të UÇK-së.
Kryeministri kërkoi nga Ministri i Financave që për mbledhjen e radhës të Qeverisë të përgatisë vendimin për rritjen e pagave  për të gjitha kategoritë buxhetore në Republikën Kosovës.
Kabineti qeveritar ndau shumën prej 50 mijë euro për organizimin e ndeshjes së parë miqësore ndërkombëtare, që përfaqësuesja e Kosovës do të luajë me Haitin më 5 mars 2014.