Takim rajonal dy ditor i 4 Presidentëve të Ballkanit, në Durrës

15

pres-nishani-konf-per-shtyp-2Takimi rajonal dy ditor i presidentëve të katër vendeve të Ballkanit, Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës e Malit të Zi, do të nisë sot punimet në qytetin e Durrësit.

Ky takim, do të zhvillohet në kuadrin e nismës së ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi, në frymën e takimeve të përvitshme jozyrtare të katër vendeve të rajonit.

Takimi i parë është zhvilluar në Vlorë më 23-24 qershor 2009, vijoi në Prizren më 26-27 qershor 2010, më tej në Ohër më 11-12 korrik 2011, dhe takimi më i fundit u mbajt në Budva, më 4-5 dhjetor 2012.

Ndër të tjera, synimi i këtyre takimeve është gjetja dhe shfrytëzimi i mëtejshëm i fushave me interes të përbashkët që çojnë drejt forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe nxitjes së bashkëpunimit rajonal midis vendeve tona. Ky bashkëpunim është një mekanizëm thelbësor që ndikon pozitivisht në përmbushjen e aspiratës se përbashkët eurointegruese të vendeve tona.

Këto takime dëshmojnë për lidhjet e ngushta midis vendeve tona dhe për kontributin personal të Presidentëve për konsolidimin e tyre dhe për nxitjen e përmbushjes së objektivave tona strategjike.

Në një komunikim të Presidencës së Shqipërisë, shprehet edhe dëshira që bashkëpunimi rajonal të shkojë përtej shprehjes së vullnetit politik të fqinjësisë së mirë dhe të marrë kuptim nëpërmjet përpjekjeve për krijimin e një infrastrukture të përbashkët rajonale, kapërcimin e barrierave historiko-politike, lëvizjes së lirë të njerëzve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të kulturës, traditave e zakoneve të popujve tanë dhe angazhimit të përbashkët në ndryshimin e imazhit të rajonit, për ta bërë atë një treg tërheqës e konkurrues, dhe të gatshëm për t’u bërë denjësisht pjesë e familjes evropiane.

Tematika kryesore, rreth së cilës do të diskutohet në këtë Samit të pestë të radhës është: “Përqasje për shfrytëzimin praktik të mundësive për bashkëpunim rajonal më efikas”.

Në këtë nivel të marrëdhënieve midis vendeve të rajonit tonë, merr një rëndësi shumë të madhe gjetja e qasjeve të reja për shfrytëzimin e potencialeve të bashkëpunimit, dhe, veçanërisht, konkretizimi i shpejtë i tyre në praktikë.