Obama në mbrojtje të marrëveshjes me Rusinë

13

20120608_president-obama_33Presidenti Barak Obama thotë se marrëveshja amerikano-ruse përmbush një objektiv kryesor amerikan lidhur me stoqet siriane të armëve kimike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman njofton nga Uashingtoni, se marrëveshja ka zgjuar reagime të përziera tek ligjvënësit amerikanë.

Në një intervistë në emisionin This Week with George Stephanopoulos të rrjetit ABC, Presidenti Obama tha se presioni amerikan ndaj Sirisë po jep rezultate.

“Si pasojë e presionit që kemi ushtruar gjatë javëve të fundit, kemi detyruar Sirinë që për herë të parë të pranojë se zotëron armë kimike dhe të bjerë dakord të nënshkruajë konventën për ndalimin e armëve kimike. Ndërkohë rusët, përkrahësit kryesorë të Sirisë, thonë se do t’i bëjnë presion Sirisë të pastrojë vendin nga të gjitha armët kimike. Përparimi i bërë gjatë këtyre dy javëve është për t’u shënuar”. 

Dy senatorë republikanë, John McCain dhe Lindsey Graham, e kritikuan marrëveshjen duke thënë “Ky dokument kërkon që me vetëdije të përpiqemi të bindim veten në mënyrë që kjo marrëveshje të na duket si diçka më shumë se një qorrsokak diplomatik”.

“Mendoj se është një marrëveshje e dështuar”, tha Senatori McCain dje në programin Meet the Press të rrjetit NBC.

“Tani po varemi tek vullneti i mirë i rusëve nëse Presidenti Bashar al-Assad e shkel këtë marrëveshje”. 

Javën e kaluar një numër i konsiderueshëm ligjvënësish deklaruan se nuk do të votonin për t’i dhënë Presidentit Obama autorizimin për të përdorur forcë ushtarake kundër Sirisë. Por nëse anëtarët e Kongresit duket se po ngurojnë për të përqafuar alternativën ushtarake, shumë prej tyre kanë shprehur dyshime të thella ndaj Rusisë. Megjithë këto rezerva, ligjvënësi republikan Michael McCaul thotë se nuk është kundër mundësisë që Presidenti rus Vladimir Putin të marrë një rol udhëheqës ndaj Sirisë. Zoti McCaul i bëri komentet në emisionin Fox News Sunday.

“Mendoj se Putini është në një pozitë unike krahasuar me Presidentin Obama dhe mund ta udhëheqë këtë proces me sukses si rezultat i ndikimit që ka mbi Assadin dhe Sirinë”. 

Në fund të diskutimeve maratonë me homologun Sergei Lavror, Sekretari i Shtetit John Kerry theksoi nevojën për një verifikim absolut të zbatimit të marrëveshjes. Po në emisionin Fox News Sunday, ligjvënësi demokrat Chris Van Hollen tha se ishte i kënaqur:

“Ky rezultat nuk kishte si të bëhej më në përputhje me objektivin e presidentit. Në fakt, ne kemi bërë më shumë se thjesht dekurajimin e përdorimit të armëve kimike në të ardhmen, pasi kemi një plan për të shkatërruar stoqet e armëve kimike të Assadit. 

Kur u pyet lidhur me mbështetjen e procesit tek Rusia, Presidenti Obama tha “Nuk jemi më në Luftë të Ftohtë. Nuk bëhet më fjalë për konkurrencën e dikurshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”./VOA/